Serbët mund t’i kenë 22 deputet në Kuvendin e Kosovës, por ky nuk është problemi

Përfaqësuesit e partive parlamentare serbe të Kosovës, së bashku me ato nga veriu, dje kanë arritur një konsensus gjatë një takimi të zhvilluar në Beograd, që në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, të marrin pjesë me një listë të përbashkët, raportojnë mediat serbe. 

Lajme

06/05/2014 15:32

Nëse Kosova shkon në këto zgjedhje pa e ndryshuar ligjin zgjedhor, dhe minoriteteve u mundësohet që edhe në legjislativin e ardhshëm të kenë vendet e garantuara, plus ato të rezervuarat, atëherë vetëm nga minoriteti serb në Kuvend mund t’i kemi deri në 22 deputet. Por për analistin e procesve politike dhe elektorale, Leon Malazogu, ky nuk është problemi. Ai vlerëson se problemi më i madh Kosovës i vjen nga vota e kualifikuar. 

“Me pjesëmarrjen në zgjedhje të serbëve të veriut, nëse marrim si barometër rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2001, del se ata mund t’i fitojnë mbi 10 ulëse më shumë në Kuvend, se sa që i kanë aktualisht. Pra me një dalje më të madhe të serbëve në zgjedhje ata në legjislaturën e ardhshme mund të kenë deri në 22 deputet. Por unë vlerësoj se numri i ulëseve të serbëve nuk qon peshë. Sikur 10 e sikur 22 ulëse, mekanizmi i mbrojtjes së të drejtave të serbëve nuk është numri, por mekanizmi i dyfishtë përmes votës së kualifikuar të 2/3-tës, që e ndalon ndryshimin e kushtetutës dhe një sërë ligjesh vitale të shtetit”, ka thënë Malazogau në një prononcim për Lajmi.net

Problemi tjetër, që Kosovës mund t’i vijë nga minoriteti serb, është fakti se ata do të vazhdojnë të jenë vegël e Beogradit, duke u bërë planprishës për ecjen përpara të Kosovës. 

“Nuk është problematik fakti se serbët garojnë me një subjekt, gjë që realisht çdo komuniteti më të vogël i leverdiset ta bëjë këtë, pasi që është në interesin e tyre. Më problematik është fakti se kjo marrëveshje arrihet në Beograd”. 

“Nëse Serbia do ta kishte njohur Kosovën, edhe kjo nuk do të paraqiste problem, për shkak se si çdo vend tjetër, edhe ata do të kishin të drejtë të mbronin të drejtat e komunitetit të saj në Kosovë. Por duke marrë parasysh faktin se Serbia nuk e ka njohur Kosovën, dhe bënë çmos që ta sabotojë zhvillimin dhe njohjen e saj ndërkombëtare, atëherë mund të dyshohet se serbët e Kosovës, do të përdoren si vegël e Beogradit për rrënimin e shtëpisë së Kosovës”. 

Sipas Malazogut, kjo mund të ndikojë shumë në raportet ndëretnike, dhe formën se si do të shihen serbët e Kosovës. 

“Në të ardhmen më ata nuk do të shihen vetëm si komunitet që ka nevojë për mbrojtje, por si një komunitet nga i cili rrezikohet shtëpia e Kosovës. Dhe ky do të ishte një hap serioz mbrapa”. 

Megjithëkëtë, Malazogu vlerëson se, pjesëmarrja e të gjithë serbëve në zgjedhje, është hap pozitiv, pasi Kosova e ka përmbyllur kapitullin e bojkotit, por e keqja e kësaj, sipas tij, është se, mund të hapet një kapitull tjetër kur serbët do të përdorin privilegjet e tyre më shumë për ta mbajtur Kosovën në tension se sa për të realizuar interesat e tyre.