Serbët kritikojnë Listën “Srpska”

Për ish-liderin e strukturave paralele në veri, Marko Jakshiq, bojkoti i “Srpskas”, po bëhet për disa poenë të vegjël politikë, ndërkohë që analisti Dushan Janjiq pret që Beogradi t’i udhëzojë sa më shpejt serbët që të dalin në zgjedhje. Ndërkohë, partitë tjera serbe nga qendra kanë vazhduar fushatën.

Lajme

30/05/2014 10:04

Ngrirja e fushatës dhe aktiviteteve parazgjedhore nga ana e liderëve serbë nga komunat veriore, po kritikohet edhe nga pjesa tjetër e spektrit politik nga ky komunitet.

Vendimin e tyre për ngrirjen e aktiviteteve parazgjedhore, me pretekstin se materiali zgjedhor përmban simbole të shtetit të Kosovës, disa e shohin si fushatë më vete, por të tjerë i bëjnë thirrje Beogradit të intervenojë, ngaqë bojkotimi i zgjedhjeve nga veriorët, konsiderohet se do ta dobësonte fuqinë politike të këtij komuniteti në Parlamentin e Republikës së Kosovës.

Njëri nga ish-liderët e serbëve veriorë gjatë kohës së institucioneve paralele, Marko Jakshiq, ka thënë se liderët e Listës “Srpska”, me këtë vendim po mundohen të përfitojnë disa poenë të vegjël politikë, shkruan gazeta “Tribuna”.

“Me këtë bojkot ata po mundohen të fitojnë disa privilegje, por në fund do të pranojnë krejt çka kërkon Prishtina dhe Brukseli”, ka thënë Jakshiq, njëri prej kundërshtarëve të daljes së serbëve edhe në procesin e zgjedhjeve lokale.

Pas vendimit të përfaqësuesve veriorë, të cilët në fakt edhe udhëheqin me Listën “Srpska”, që të ngrijnë aktivitetet parazgjedhore, edhe anëtari serb në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve Nenad Rikalo, ka thënë se fletëvotimet nuk janë neutrale në raport me statusin e Kosovës.

Simbolet e shtetit të Kosovës nuk ishin përdorur në zgjedhjet lokale të cilat ishin negociuar mjaft gjatë në bisedimet Prishtinë-Beograd të mbajtura në Bruksel, andaj serbët kanë pritur që njësoj të veprohet edhe në zgjedhjet parlamentare, shkruan “Tribuna”.