Serbët kërkuan heqjen e flamurit të Kosovës, hiqet edhe i tyri

Përfaqësuesit e Parlamentit të Serbisë dje, gjatë një takimi përfaqësuesish të vendeve të rajonit në Kuvendin e Maqedonisë, kërkuan heqjen e flamurit të Kosovës nga platforma ku qëndronin flamujt e shteteve anëtare të BE-së, si dhe vendeve të Ballkanit.

Lajme

27/02/2018 10:17

Deputetët nga Kosova (deputetja Blerta Deliu) reaguan duke adresuar kritika, ndërsa krejt në fund u vendos që të largohen gjithë flamujt, bën të ditur Alsat-m.

Bëhet fjalë për delegacionin e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës, i cili dje mori pjesë në Konferencën e 13-të të komisioneve për integrime/çështje evropiane të shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizimit dhe Asociimit të Evropës Juglindore – COSAP, që u mbajt në Shkup.

Delegacioni i Kosovës përbëhej nga deputetët Blerta Deliu Kodra, kryetare e Komisionit, Armend Zemaj, zëvendëskryetar i Komisionit, dhe Fikrim Damka – zëvendëskryetar i Komisionit, ndër të tjerë, dje pati takim edhe me raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes.

Kishte reagim nga delegacioni i Serbisë drejtuar sekretariatit të konferencës në lidhje me praninë e flamurit të Republikës së Kosovës, i cili po ashtu ishte vendosur këtu, pas çka sekretariati i largoi të gjithë flamujt e të gjitha vendeve pjesëmarrëse në konferencë dhe në këtë mënyrë u zgjidh kjo situatë sipas kërkesës së tyre.

Sipas gjykimit tim, kjo është e palogjikshme duke marrë parasysh atë që tha edhe z. Vajgëll në konferencë se një ditë edhe Serbia, por edhe Kosova, do të bëhen vende anëtare të BE-së, deklaroi Artan Grubi, deputet i BDI-së në Kuvendin e Maqedonisë.