Separatistët skocezë i kërkojnë Madridit respektimin e rezultatit të referendumit katalonas

Partia Nacionale Skoceze (SNP) i kërkoi Spanjës të respektonte rezultatin e referendumit të ndaluar në mbështetje të pavarësisë së Katalonisë, në një mocion të miratuar sot me unanimitet gjatë kongresit të përvitshëm.

Bota

09/10/2017 23:58

“Konferenca (…) i kërkon qeverisë spanjolle të respektojë votën masive në favor të “po”-së në referendumin katalonas si shprehje e vullnetit demokratik të popullit të Katalonisë”, sipas tekstit të mocionit të partisë separatiste.

Separatistët katalonas kanë një mbështetje të fortë në Skoci, tre vjet pas një përpjekjeje të dështuar për pavarësi në këtë territor britanik, përcjell Atsh.

Spanja është zhytur në krizë që prej zhvillimit më 1 tetor të një referendumi të ndaluar për vetëvendosje nga drejtësia dhe të panjohur nga Madridi, që indipendentistët katalonas mendojnë se e kanë fituar me 90 për qind të votave dhe me një përqindje pjesëmarrjeje prej 43 për qind.