Senatori me 14 akuza për korrupsion

Senatori amerikan, demokrati Bob Menendez, të enjten është ngarkuar nga prokurorët e Departamentit të Drejtësisë me plotë 14 akuza për korrupsion, ku veçohet ndikimi për përfitim të paligjshëm nga një doktor i syve (mik i tij) në Florida, por edhe mitmarrja, deklaratat e rreme dhe komplote të tjera.

Bota

02/04/2015 10:50

Politikani nga New Jersey, i cili ka dhënë dorëheqje nga Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë, në një konferencë për shtyp, tha se ishte i zemëruar me prokurorinë e Departamentit të Drejtësisë dhe hodhi poshtë të gjitha akuzat, të cilat ai i cilësoi si të rreme.

“Unë jam i zemëruar, sepse prokurorët në Departamentin e Drejtësisë u mashtruan që kur e filluan këtë hetim tre vjet më parë, me akuzat e rreme nga ata që kanë një motiv politik për të më heshtur mua”, tha Menendez përpara përkrahësve të tij në Newark.

Gazeta më e madhe në New Jersey, “Star dhe Ledger”, i ka bërë thirrje atij të japë dorëheqje edhe nga karrigia që mban në Senatin amerikan dhe nga të gjitha funksionet që mbanë në Partinë Demokratike.

Në vitet e fundit, senator, ndër më të njohurit nga demokratët, ka qenë një kritik i hapur i presidentit Barak Obama, po ashtu demokrat, në lidhje me politikat e tij ndaj Iranit dhe Kubës.

Menendez konsiderohet si një nga ligjvënësit më me ndikim te elektorati hispaniko- amerikanë në Kongres, dhe është autori kryesor i legjislacionit që do të forcojë sanksionet e vëna ndaj Iranit.

Hetimet e para ndaj tij filluan në vitin 2013, kur autoritetet federale bastisën zyrën e mikut të tij, doktorit të syve nga Florida, Salomon Melgan, i cili po ashtu është i akuzuar.

Melgan kishte përfituar nga rimbursimet më shumë se secili mjek tjetër amerikan, por sipas Prokurorisë faktet e mbledhura vërtetojnë se kjo është bërë në mënyrë të jashtëligjshme, duke shfrytëzuar zyrën e avokatisë së mikut të tij, senatorit demokrat Menendez.

Po ashtu, prokuroria ka vërtetuar se senatori ka shfrytëzuar për fluturime avionin privat të doktorit Melgan si kundërshpërblim për favoret që Menendez ia kishte mundësuar, sidomos në rastin e një mosmarrëveshje me Departamentin e Shëndetësisë.

Senatori Menendez, 61 vjeçar, ka shërbyer në Senat që prej 2006, dhe ishte në Dhomën e Përfaqësuesve për më shumë se një dekadë, por tani pritet të dalë para drejtësisë me plotë 14 akuza për veprimtari korruptive të ngritura nga prokuroria. /lajmi.net./