“Sëmundja e gjumit” në një fshat në Kazakistan, nuk zgjohen me ditë të tëra (Video)

Mjekët dhe shkencëtarët në Kazakistan tash e disa muaj i habit një fenomen misterioz në mesin e banorëve të fshatit Kalaçi që shkakton gjumë të rëndë që zgjat disa ditë. 

Bota

16/12/2014 23:45

Zgjimi nga gjumi, që zgjat nga dy e deri në pesë ditë zakonisht përcillet edhe me humbjen e pashpjegueshme të kujtesës për atë se çka ka ndodhur, shkruan gazeta Russia Today.

Marina Felk (50), mjelëse e qumështit nga Kalaçi tregon se çka i ka ndodhur: ”Një ditë në mëngjes të hershëm, si rëndom, isha duke mjelë lopët dhe thjesht fjeta”.

“Nuk më kujtohet asgjë pos kur janë zgjuar në spital, infermierja më buzëqeshi dhe më tha: ‘Mirë se na erdhe, bukuroshe e fjetur. Më në fund u zgjove’”.

“A më kujtohet edhe ndonjë gjë. Jo, absolutisht. Kam fjetur dy ditë e dy netë. Gratë që ishin me mua në dhomën e spitalit thanë se disa herë jam përpjekur të ngrihem duke thënë se urgjentisht duhet të mjelë lopët e mia”.

Ngjashëm ka kaluar edhe Aleksej Gom (30), i cili në Kalaçi, 400 kilometra larg kryeqytetit Astana, kishte ardhur për ta vizituar vjehrrën, transmeton lajmi.net.

“Arrita me gruan për vizitë. Desha të kryej një punë që më kishte mbetur pa e kryer. E ndeza laptopin, i hapa materialet që duhej t’i lexoja dhe kjo ishte e tëra. Përnjëherë, sikur dikush ta kishte shtypur butonin, më shkyçi”, tregon ai.

“u zgjova në spital, kurse afër më qëndronin gruaja dhe vjehrra. Mjekët nuk gjetën asgjë të pazakontë megjithë testet e shumta që mi kishin bërë. Kisha fjetur mbi 30 orë. Kjo nuk më ka ngjarë kurrë”.

Tregime të tilla janë të zakonshme në Kalaçi dhe në një vendbanim të afërt minatorësh, tashti pothuajse të zbrazur, Krasnogorsk.

Disa banorë të këtyre vendbanimeve madje i mbajnë gjërat personale të paketuara për rastin që të flenë gjumë dhe të zgjohen në spital. Është i pazakontë edhe fakti se anëtarët e ndonjë familje përjetojnë gjumin e tillë herë njëri e herë tjetri, ndërsa disa familje sikur janë imune ndaj këtij fenomeni.

Ljubov Belkova shiste rroba në stendën e një shitore të vogël në tregun lokal dhe thjesht u rrëzua dhe e zuri gjumi. Gruaja tjetër, e cila punonte në stendë afër saj, fjeti në mënyrë identike dy muaj më vonë. Pastaj i erdhi radha Ljubovës, kurse gjatë pesë javëve të ardhshme edhe pesë gra të tjera që punojnë në tregun lokal fjetën aty në mënyrë të pashpjegueshme.

 Fati i njëjtë e gjeti edhe punëtorin e sigurisë fizike në atë treg, kurse pensionistja Bellkova ka përllogaritur se kësisoj e ka zënë gjumi shtatë herë, vajzën e saj dy herë, kurse mbesën 15 vjeçare një herë.

Në fillim mjekët e lidhnin këtë me pijen alkoolike vodka të kualitetit të dobët, që prodhohet dhe konsumohet në pjesët rurale të Kazakistanit, mirëpo, kjo bie poshtë pasi asnjëra nga gratë në tregun lokal që kishin fjetur nuk e kishin konsumuar alkoolin.

Vala e parë e kësaj “sëmundje” të pashpjegueshme u paraqit në mars të vitit 2013, pasoi vala e re në maj të atij viti, kurse të tjerët u regjistruan në shkurt dhe maj të këtij viti.

Rasti i fundit dhe më i rëndë ndodhi në shtator të këtij viti, ditën e parë të mësimit. Tetë fëmijë në të njëjtën klasë i zu gjumë brenda vetëm një ore.

Çdo i gjashti banor in Kalaçit, fshatit me rreth 600 banorë, të paktën një herë është dërguar në spital për shkak të kësaj dukurie.

Grupe të shkencëtarëve e kazakë e rusë, virusologë, radiologë e toksikologë e kanë vizituar disa herë fshatin dhe kanë bërë shumë matje, mirëpo, as sot e kësaj dite nuk ka shpjegim logjik për “sëmundjen e gjumit”.

Disa teori shkakun e problemit e shohin në minierën e afërt të uraniumit, por ajo nuk punon tash e dy dekada.

Banorët lokalë dhe mjekët nuk mendojnë se problemi është në radiacion. “Kemi punuar në minierë me dhjetëra vite të tëra dhe kurrë askush nuk ka fjetur gjatë punës”, thotë njëri nga minatorët e dikurshëm.

Gjumi nuk është simptomë e ekspozimit të shtuar ndaj radiacionit, kurse matjet në kalaçi kanë dëshmuar 16 mikrorendgenë rrezatim, që është në normat e lejuara.

Analizat e pavarura të ujit, dheut dhe bimëve nga Kalaçi nuk kanë gjetur asgjë të pazakontë.

Disa ekspertë fajtorin  shohin në elementin radon – një gaz radioaktiv që është fenomen i rëndomtë nëpër miniera.

Në rrethinën e Kalaçit është gjetur përqendrim i rritur i këtij gazi, por deri tash nuk është shënuar se radoni ka veprim anestetik, që të vë në gjumë. (lajmi.net)