Selmanaj tallet me deputetët e VV-së: Janë me PDK-në ose po frikësohen nga Haradinaj

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, i ka numëruar Vetëvendosjes të gjitha metodat e dhunshme që ka përdorur mandatin e kaluar.

Lajme

20/03/2018 20:43

Sipas tij VV ose është koordinuar me kreun e Kuvendit, Kadri Veselin për të kryer veprimet e tyre si ajo me gaz lotsjellës, ose tash po frikësohet nga kryeministri Ramush Haradinaj, prandaj po rrinë qetë në seancën e sotme.

Selmanaj thotë të ketë ndodhur diçka sepse është e çuditshme se si Vetëvendosje që përdorte të gjitha instrumentet e mundshme të dhunshme në Kuvend gjatë Qeverisë Mustafa, tani nuk po e bën të njëjtën gjë, transmeton Express.

Sipas deputetit të LDK-së, VV ose është marrë vesh me kryeparlametarin Veseli të kryente veprime të palejueshme për Kuvendin gjatë mandatit të kaluar e tash nuk po lejohet, ose po frikësohen nga Haradinaj.

Por, siç shprehet ai, nuk qëndron asnjëra sepse Vetëvendosje tash ‘është pjekur politisht e është emancipuar, prandaj po janë të qetë sot”.

Ai thotë se nuk ka ndryshuar asgjë nga atëherë kur pamundësohej votimi, por vetëm ka ndryshuar shefi i Qeverisë, e si pasojë kanë ndryshuar edhe sjelljet e deputetëve, veçmas atyre të VV-së.

“Nuk ka ndryshuar asnjë pikë e marrëveshjes. Ka ndryshuar vetëm një gjë. Tash nuk është kryeministër Isa Mustafa, por është Ramush Haradinaj”, ka thënë Selmanaj.