Selmanaj: Nuk zbatojmë vendime politike për Manastirin e Deçanit, pronat janë tonat

Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj thotë se vendimet politike nuk i pranojnë e as nuk do t’i zbatojmë.

Lajme

20/04/2017 14:47

Këtë Selmanaj e thënë lidhur me kërkesën e zyrës së BE-së në Kosovës sa i përket kontestit pronësor të pretenduar nga Manastiri i Deçanit.

“Komuna e Deçanit dhe dy ndërmarrjet në vazhdimësi kanë kërkuar zbatimin e ligjit lidhur me kontestin e pronave të pretenduara nga Manastiri i Deçanit! Si është e mundur që zyra e BE-së në Kosovë të jetë e shqetësuar lidhur me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ndërsa asnjëherë nuk ka qenë e shqetësuar me faktin se po provohet të “respektohet” një vendim i kohës së Millosheviqit për faljen e këtyre pronave manastirit të Deçanit”, ka thënë Selmanaj, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, ata kanë qenë dhe janë për zbatim të ligjit , pra këto ndërmarrje të shkojnë në privatizim sikurse të gjitha ndërmarrjet tjera në Kosovë.

“Parimi i sundimit të ligjit duhet të respektohet nga të gjithë! Ne e vlerësojmë përkrahjen e BE-së për Kosovën dhe jemi falënderues, por vendimet e ndikuara dhe antiligjore nuk i zbatojmë! Ky problem tashmë është politik! Se di nëse ky problem mund të zgjidhet politikisht! Kjo mbetet të shihet. Ne vazhdojmë me qen të gatshëm për raporte të mira me Manastirin, por jo me i fal pronat që ngulfatin zhvillimin ekonomik të Deçanit”, ka thënë i pari i Deçanit. /Lajmi.net/