Selman Jusufi fiton Çmimin e Aktorit më të Mirë, në një festival evropian

Janë ndarë çmimet e festivalit ÉCU The European Independent Film Festival, në të cilin aktori Selman Jusufi ka fituar çmimin ‘Aktori më i mirë’ për interpretimin e tij në filmin “Eho” nga Dren Zherka.

ShowBiz

25/04/2017 09:48

Ky festival këtë vit ka shfaqur 73 filma nga 28 shtete e ndër ta edhe filmin “Eho” të Dren Zherkës. Ky film është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, ndërsa premierën ndërkombëtare e pati në Montreal World Film Festival vitin e kaluar, transmeton Koha.net.

“Eho” flet për humbjen, vetminë dhe për një lidhje të pashprehur që i bashkon dy prindërit në moshë, larg nga njëri-tjetri, përmes një aksidenti fatal. Një grua në Gjermani fillon udhëtimin dhe eksplorimin e jetës së emigrantit ilegal dhe në vend të kësaj gjen dhimbjen dhe vetminë e saj, një njeri të moshuar në Kosovë që humbja dhe vetmia e kanë sjellë në fund të udhëtimit të tij.

Filmi është i realizuar nga shtëpia filmike “ASHA” dhe “MAGUSfilms” me producent Alban Zogiani.