Selimi: Thaçi më shumë e ka rrezikuar sesa e ka ndihmuar themelimin e Ushtrisë

Mospajtimet e SHBA-së dhe NATO-s që Kosova ta bëj Ushtrinë me ndryshim të ligjit për FSK-në, e ka shtyrë presidentin Hashim Thaçi që më 7 prill të tërhiqet nga iniciativa e tij për krijimin e ushtrisë pa ndryshime kushtetuese.

Lajme

21/04/2017 20:56

E që nga ajo kohë, kjo çështje sikur ka mbetur nën hije, meqë ditët e fundit tema kryesore janë demarkacioni dhe zgjedhjet e parakohshme.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi e ka fajësuar presidentin Thaçi duke thënë se ai e ka e ka lënë Kosovën pa Ushtri.

Në një prononcim për “Indeksonline”, Selimi ka thënë se iniciativa e Thaçit ishte agjendë elektorale dhe e destinuar për të dështuar.

“Iniciativa e Thaçit për ndryshime ligjore të misionit dhe detyrave të FSK-së doli të jetë ashtu siç e kishim paralajmëruar – agjendë elektorale dhe nismë e destinuar për të dështuar. Kështu pati vepruar edhe në fund të mandatit të tij si kryeministër në vitin 2014.  Me këtë aventurë, Thaçi më shumë e ka rrezikuar sesa e ka ndihmuar themelimin e Ushtrisë. Vet fakti se tash e ka tërhequr nga procedimi dhe e ka harruar si nismë tregon mos seriozitetin që ka Thaçi në nisma të tilla”, ka thënë ai.

Selimi është shprehur se Thaçi e ka rrezikuar procesin duke mos u koordinuar me SHBA-në dhe NATO-n, deri sa ka theksuar se pa ndihmën e këtyre dyjave Kosova nuk do të mund të ngrit kapacitete ushtarake.

“Mos koordinimi me faktorët relevante të brendshëm dhe të jashtëm ka bërë që FSK-ja të bëhet pjesë e agjendës elektorale dhe të rrezikshme të tipave si Thaçi. Pa koordinim me faktorët e brendshëm dhe pa angazhimin e NATO-s dhe SHBA-ve në themelimin e Ushtrisë, Kosova do ta ketë të vështirë t’i ngrisë kapacitetet ushtarake. Duket se Thaçi nuk e ka bërë këtë dhe i njëjti për shkak të “lavdisë” së tij personale e ka rrezikuar të gjithë procesin. Ai e ka bërë këtë duke e vënë në dukje etjen egoiste si mani e përhershme e tij”, ka thënë tutje Selimi.

Ndryshe, ambasadori amerikan në Kosovë, Greig Delawie ka thënë se do të përfshihet personalisht për ta bindur Listën Serbe qe ta mbështesë krijimin e ushtrisë se Kosovës nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.