Selimi: Salla e Kuvendit është vendi ynë, jo i policisë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se salla e Kuvendit të Kosovës është vendi i deputetëve dhe jo vend i shërbimeve të sigurimeve dhe policisë.

Lajme

14/12/2015 11:23

Sipas Selimit, policët nuk kanë të drejtë t’u kërkojnë largimin nga salla e kuvendit, pasi që vendet në sallë janë të deputetëve dhe jo policëve.

“Sigurimi na kërkoi që të dalim nga seanca. Ne u përgjigjëm se aty është vendi ynë dhe jo i policisë”

Ai më tutje ashtu si edhe deputetët tjerë nga opozita, ka thënë se ata do të vazhdojnë në mënyrë të njëjtë përderisa nuk tërhiqen marrëveshjet për asociacionin e komunave serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi.

“Dy marrëveshjet janë të dëmshme. Për derisa qeveria e Kosovës nuk reflekton, ne do të vazhdojmë. Ajo çka do të duhej të ndodhë patjetër, është tërheqja e kryeministrit nga dy marrëveshjet”, është shprehur Selimi

Selimi ka thënë se Kryeministri, Isa Mustafa duhet të mbrojë interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Ai duhet të mbrojë interesat e qytetarëve të Kosovës, dhe jo interesat e Serbisë”, ka thënë Selimi.

Ndërkaq, për seancën e sotme ai ka thënë se opozita do të vazhdojë të qëndrojë në sallë edhe përkundër faktit se salla është e mbushur nga gazi lotsjellës që e kanë hedhur ata vetë.

“Ne do të qëndrojmë në sallë, edhe me tymin e gazit. Nuk është lehtë por nuk qenka e pamundur. Ne nuk do të bimë në kurthet e tyre, si herën e kaluar”, ka thënë Selimi.