Selimi, PAN-it: Nëse i keni 61 deputetë mos e pritni 3 gushtin, thirreni nesër seancën

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve të koalicionit PAN, të cilët po synojnë që ta votojnë edhe Qeverinë më 3 gusht, ditën kur mbahet seanca konstituive e Kuvendit.

Lajme

25/07/2017 17:17

Selimi për lajmi.net ka thënë se nuk u besojnë deklaratave të PAN-it, pasi ata kanë deklaruar se do ta krijojnë Qeverinë në afat rekord, dhe nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

“Kemi arsye që ato çka thonë mos t’ua besojmë sepse ata patën thanë që me afat rekord do ta krijojnë Qeverinë dhe nuk e bën.  Patën thanë që më 27 korrik nuk e bën, tash nuk kemi arsye të ju besojmë dhe as të llogarisim atë çka ata proklamojnë. Çdo gjë çka thojnë ata ne e marrim vetëm si versionin e tyre jo si realitet”, ka thënë Selimi.

Ai tutje ka thënë se kushdo që i ka numrat nesër le ta thërras seancën.

“Kush i ka 61 numra, 61 deputetë le ta votojë Qeverinë. Kushdo që i ka 61 vota, pse po e lë për tre gusht le ta votojë tani, krejt çështja është se a i kanë numrat. Nëse i kanë, nesër ta thërrasin seancën”, tha Rexhep Selimi.

Zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj në një prononcim për lajmi.net, sot gjatë ditës ka deklaruar se po e shqyrtojnë opsionin që edhe Qeveria të votohet më 3 gusht, ditën kur mbahet  seanca e parë e legjislaturës së re të Kuvendit. /Lajmi.net/