Selimi: Nuk ka protestë kundër arrestimeve, do mbajmë manifestime

​Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi ka përfunduar për sonte punën e tij si deputet në Kuvend i Kosovës.

Lajme

14/12/2015 23:32

Edhe pse para disa minutash i janë arrestuar pesë kolegë nga partia e tij, Selimi tha se sonte nuk ka ndonjë aktivitet apo protestë.

Madje sipas tij as për nesër nuk është paralajmëruar ndonjë aktivitet i opozitës. Por Selimi përmend manifestimet që këtë javë do të mbahen në tri qendra të Kosovës në kundërshtim të marrëveshjeve për Asociacionin e Komunave Serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi.

“Nesër e kemi ditë pushimi, nuk do të ketë protestë për arrestime pasi që protestat po i keqpërdor policia. Por të mërkurën do të mbajmë manifestim në Pejë, të enjten në Malishevë dhe të shtunën në Prizren”, tha Selimi për KosovaPress nëpërmjet telefonit.

Opozita deri më tani ka mbajtur dy manifestime kundër marrëveshjeve një në Gjakovë dhe tjetrën në Gjilan.

Manifestimet e ardhshme opozita do t’i mbajë me 13 deputetë më pak.

Sonte janë arrestuar Glauk Konjufca, Faton Topalli, Fisnik Ismajli, Aida Dërguti, Besa Baftiu. Gjatë ditës është arrestuar edhe Pal Lekaj, Time Kadriaj, Teuta Haxhiu dhe Ismajl Kurteshi.

Ndërsa në paraburgim janë Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu ndërsa në arrest shtëpiak gjenden deputetja Donika Kadaj-Bujupi dhe Haxhi Shala.