Selimi në Izrael, takon zyrtarë të lartë shtetërorë

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi po qëndron në një vizitë në Izrael, si i ftuar i Ministrisë së Jashtme të Izraelit në forumin e pestë global për luftimin e antisemitizmit, që po mbahet në këtë shtet.

Lajme

13/05/2015 19:16

Konferenca është hapur nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ndërsa në mesin e panelistëve ishin mbi 1,000 mysafirë nga 40 shtete të botës.

Selimi ka pasur edhe takime të ngjeshura me zyrtarë izraelitë dhe krerë të organizatave të ndryshme hebraike.

“Fillimisht, zëvendësministri Selimi ka takuar ambasadorin Zvi Rav-Ner, drejtor për Evropë dhe Azi në Ministrinë e Jashtme izraelite, si dhe drejtorin për Ballkan, ambasadorin Dan Oryan. Në këtë takim janë diskutuar zhvillimet në Ballkan dhe në Lindje të Mesme, implikimet e tyre në marrëdhëniet midis dy popujve dhe shteteve dhe në progresin e Kosovës në njohje multilaterale. Ai ka kërkuar që shteti i Izraelit të vlerësojë progresin e shënuar në vitet e fundit, vendimin e GJND-së, dialogun me Serbinë, etj, për të bërë hapin final drejt njohjes”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

“Po ashtu, zëvendësministri në një takim të ndarë ka takuar edhe drejtorin e MPJ-së së Izraelit për diplomaci publike, ambasadorin Yuval Rotem, me të cilin ka shkëmbyer përvoja dhe ide për projekte që do të rrisnin ndërveprimin e diplomacisë kosovare me atë izraelite”.

“Selimi ka takuar edhe Robert Singer, drejtorin ekzekutiv pranë Kongresit Botëror hebraik, organizatës më të madhe hebraike në botë, me seli në Uashington, së bashku me lidershipin e organizatës. Me këtë rast, Selimi ka njoftuar grupin lobues për gjendjen dhe historinë e komunitetit hebraik në Kosovë, nevojën e Kosovës për njohje dhe luftën e Kosovës kundër ekstremizmit dhe antisemitizmit”, thuhet në këtë njoftim.

Zëvendësministri i Jashtëm Selimi është takuar edhe me Arthur Kroll, zëvendësdrejtor për medie dhe marrëdhënie me publikun në diplomacinë izraelite, me të cilin diskutuan mënyrat e rritjes së shkëmbimeve.

Foto02

Në margjina të konferencës, zëvendësministri Selimi ka pasur biseda të shkurtra me Nickolay Mladenov, koordinator i posacëm i OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, si dhe krerët fetarë hebraikë, rabinin Levi Matusof, rabinin Ron Kronish, etj. Në vizitën e tij zyrtare në Izrael, Selimi është shoqëruar nga Ines Demiri, diplomate kosovare nga radhët e komunitetit hebraik kosovar, dhe Kastriot Orana, nga kabineti i zëvendëskryeministrit Thaçi.