Selimi: Në fillim të nëntorit votohet për pranimin e Kosovës në UNESCO

Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi është shprehur optimist për pranimin e Kosovës në UNESCO.

Lajme

12/09/2015 19:19

Gjatë një konference të mbajtur sot në Qeveri, Selimi ka shpalosur detaje të reja rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), pas futjes se kërkesës së Kosovës për anëtarësim në agjendë të Bordit Ekzekutiv, të nënshkruar nga një numër rekord i shteteve anëtare.

Selimi tha se me shqyrtimin e kësaj kërkese nga Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s, që do të mbahet në mbledhjen e radhës në tetor, është bërë një hap i madh drejtë anëtarësimit.

Ai tregoi se kërkesa për aplikimin e Kosovës është bërë nga 44 shtete, ndërsa votimi, sipas numrit dy të kësaj ministrie, do të bëhet në javën e parë të nëntorit.

“Votimi do të bëhet në fillim të muajit nëntor, ndërsa Kosovës i nevojiten 2/3 e votave për t’u pranuar në UNESCO”, ka thënë Selimi.

Betejën që po bëhet për të lobuar dhe për ta shtyrë përpara këtë çështje, Selimi e ka cilësuar si të dytën më të rëndësishme pas rastit të dërgimit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).

“Procesi i anëtarësimit në UNESCO është shumë i rëndësishëm dhe pas rastit të GJND-së, kjo është beteja e dytë më e rëndësishme për shkak të propagandës serbe”, ka thënë Selimi.