Selimi kritikon BE-në: Reagoi ashpër për dronin, hesht për eksplozivin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, ka kujtuar dy ngjarje që kanë ndodhur brenda këtij viti, atë të lëshimit të Dronit gjatë ndeshjes Serbi – Shqipëri, dhe ngjarjen e eksplozivit që vinte nga Serbia në Kosovë dhe i cili u kap nga Policia e Kosovës.

Lajme

28/12/2014 23:17

Selimi, po kritikon institucionet e BE-së rreth reagimeve që kanë bërë për dronin e lëshuar mbi Beograd, dhe mosreagimin për rastin në Prishtinë.
 
“Në ndeshjen sportive, teksa luanin ekipet kombëtare të futbollit në mes të Serbisë dhe Shqipërisë, përderisa tifozët e ekipit tonë s’u lejuan të hynin në stadiumin ku bëhej ndeshja, një dron fluturoi mbi fushën e blertë dhe valëviti simbolin tonë kombëtar sipër ekipit tonë kombëtar në mbështetje të tij”, ka shkruar Selimi.
 
Sipas tij, ky gjest do të duhej të kuptohej dhe të interpretohej, madje edhe të pranohej ashtu siç në të vërtetë ishte – akt simbolik në mbështetje të ekipit tonë kombëtar dhe gjithsesi festiv e sportiv.
 
“Kujtojeni pak se si u interpretua ky gjest tifozerie nga ana Beogradit zyrtar por edhe nga disa medie në Serbi dhe jashtë sajë! Kujtojeni se si u komentua edhe nga UEFA dhe kreu i saj Platini! Ata pothuajse njëzëri këtë gjest e quajtën provokim dhe sulm ndaj Serbisë. Madje Platini pat thënë së “paramendojeni sikur në dron të kishte eksploziv…!” Platinit i pat shkuar mendja të eksplozivi por jo edhe Ballistit”, ka thënë Selimi.
 
Selimi ka kujtuar se si epilog i gjithë kësaj nga ana e UEFA-s ekipi ynë kombëtar u dënua me humbjen e pikëve dhe u denoncuam si provokatorë, sulmues etj.
 
“Pra, shqiptarët nga Tirana e nga Prishtina në Beograd nuk dërguan eksploziv por sport e futboll cilësor, tifozëri e dinjitet, dron me flamur e mbi te gjitha lojë te mirë. Por ketë javë që e lamë pas u kthye në temë prapë eksplozivi. Po, kishte eksploziv, por jo në dronin e Ballistit siç “merakosej” Platini, por në makinën e një serbi që vinte nga Serbia në Prishtinë. Plotë 12 Kg, i bërë gati të vriste njerëz. Ky ishe tashmë një akt terrorist i përgatitur për vrasje ne masë… Falë punës së mirë të policëve tanë, terroristi nuk ia arriti ta kryej aktin terrorist”, ka thënë Selimi. “Por ku janë ‘Platinat’ e Evropës që s’flasin, kur nuk paramendohet tashmë, por në të vertetë ka eksploziv? Pse nuk e nxjerr BE-ja zëdhënësen e saj të flasë tash ashtu siç beri zëdhënësja e Ashtonit për dronin? A është kjo e drejtë?”, ka thënë Selimi.
 
Në fund, Selimi ka thënë se për një flamur shqiptar në Beograd vlonin e tash heshtin për eksplozivin serb në Prishtinë.
 
“Mirë që s’ka ndodhur, por paramendojeni sikur të ndodhte e kundërta!”.