Selimi i bindur se Serbia do të detyrohet ta njohë Kosovën

Pranimi i Kosovës do të jetë rrugë njëkahore për Serbinë, pasi që nuk ka zgjidhje tjetër, ka thënë zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi.

Lajme

11/02/2016 17:45

Në një intervistë për RTK 2, Selimi ka thënë se vitin e ardhshëm do të ketë disa njohje nga shtetet anëtare të OKB-së.

Selimi ka bërë të ditur se situata edhe në pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, ka ndërruar në mënyrë drastike.

“Katër nga këto shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, të cilat nuk kanë dashur as të komunikojnë me ne, kanë ndryshuar qasje në mënyrë drastike këto vitet e fundit”, ka thënë Selimi transmeton lajmi.net.

Sipas numrit dy të diplomacisë kosovare, aktualisht për njohje është duke u lobuar në shtetet e Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine.

“Aktualisht ka shumë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën dhe në të cilat udhëtohet me viza me pasaportë të Kosovës, përfshirë edhe në Rusi e Kinë. Këtë vit do të diskutohet edhe për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe këtë e dinë Prishtina dhe Beograd, Washingtoni e Brukseli, dhe se për këtë do të punohet”, ka thënë Selimi, transmeton lajmi.net.

Selimi duke folur për anëtarësim të Kosovës në OKB, ka thënë se kjo është një rrugë pakshim, kështu që edhe Serbia do ta njehë Kosovën, “pasi që Serbia duhet të zgjedh mes dy opsioneve, BE me kufi të qartë të Serbisë, apo pa Evropën me ide tjera të vjetruara”. /lajmi.net