Selimi: Diplomacitë botërore e vlerësuan pozitivisht fushatën tonë për UNESCO

Ka filluar konferenca “Kosova në UNESCO”, e bashkorganizuar nga organizata jo-qeveritare “Ec Ma Ndryshe” dhe Forumi 2015 (KFOS).

Lajme

14/04/2016 15:41

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi ka prezantuar para të pranishmëve kronologjinë e hapave të fushatës njëvjeçare, që nga parapërgatitjet diplomatike deri të lobimi në Paris dhe procesi i mbledhjes së votave.

Selimi tha se analiza e MPJ-së e bazuar në inputet e diplomacive botërore thotë se fushata e Kosovës ka qenë pozitive dhe e duhur.

Ai ka nënvizuar edhe dy pika të rëndësishme, njëra që, sipas tij, ka të bëjë me fokusin e gabuar të debatit publik të kthyer kryekëput nga trashëgimia, pa i dhënë rëndësinë e duhur arsimit dhe shkencës, si dhe konfliktit të madh ndërmjet fuqive perëndimore dhe atyre lindore, gjë që u projektua edhe në votat në Paris.

Ministri i Jashtëm në detyrë Selimi, tha se MPJ ka përgatitur një raport voluminoz të cilin do t’ia përcjell shefit të ardhshëm të diplomacisë kosovare për vendim marrje, rreth asaj se a duhet Kosova të aplikojë për anëtarësim më 2017 apo jo.

Në panel të konferencës janë ftuar edhe Kujtim Shala, ministër i Kulturës, Sali Shoshi nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij dhe Carolina Jeger Kleine, eksperte e trashëgimisë kulturore nga TUVienna.