Selim Pacolli: Si kryetar, i Prishtinës, unë do të heq dorë nga paga dhe vetura zyrtare

Kandidati për Kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e AKR-së, Selim Pacolli është zotuar se nëse ai arrin të zgjidhet kryetar i Komunës së Prishtinës ai nuk do të marrë beneficionet që i takojnë me këtë pozitë publike.

Lajme

19/10/2017 14:18

“Prej fillimit të fushatës time, unë kam dashur të jap një model të ri të kryetarit që i duhet Prishtinës. Sepse jemi lodhur me politikanë që vetëm flasin dhe nuk veprojnë. Në vend se të marr rrogën nga komuna, ato të holla do t’i investoj në qendrën e inovacionit. Do të jenë investim për rininë – ardhmërinë tonë.

“Me punën time unë kam arritur të krijojë vlerë dhe dobi për veten, familjen time por qindra e mijëra njerëz që punojnë për kompanitë të cilat unë i menaxhoj, prandaj nuk kam nevojë të marrë paratë e taksapaguesve kosovarë për vete”.

Selim Pacolli është i vetmi kandidat për Kryetar të Komunës së Prishtinës i cili ka prezantuar planin dhe vizionin e tij për Prishtinën deri në vitin 2020, në të cilin parashihet  zhvendosja e Universitetit të Prishtinës në periferi të qytetit, ndërtimi i qendrës më të madhe koncertale – kushtuar artistëve prishtinas, një universitet prej 200 mijë metra katrorë, një stadium të ri i cili plotëson gjitha standardet ndërkombëtare, si dhe 6,000 vende të reja parkimi në Prishtinë.