Selektori i Izraelit: Kjo ishte e turpshme kundër Shqipërisë

Elisha Levi tregoi se futbollistët e tij e kishin marrë ndeshjen lehtë dhe nuk luftuan sa duhet në fushën e lojës.

Sport

12/06/2017 09:39

Trajneri i Izraelit nuk ka fjalë për ta përshkruar humbjen e kombëtares së tij dhe tha se ishte e turpshme ajo që ndodhi kundër Shqipërisë.

Elisha Levi tregoi se futbollistët e tij e kishin marrë ndeshjen lehtë dhe nuk luftuan sa duhet në fushën e lojës.

Ai i thuri elozhe Shqipërisë për mënyrën se si e dominoi sfidën dhe për faktin që e surprizoi Izraelin.

“Është e vështirë për të injoruar faktin që bëmë një nga ndeshjet më të dobëta dhe më të turpshme të Izraelit në vitet e fundit. Ndeshja e humbur 0-3 ndaj Shqipërisë nuk do të harrohet për një kohë të gjatë dhe do të kujtohet për keq”, tha fillimisht trajneri i Izraelit.

Më tej ai bëri edhe analizën e ndeshjes.

“Deri në momentin që Shqipëria po fitonte me rezultatin 2-0, ne po luanim mirë. Unë vendosa të rrezikoja dhe ta hidhja skuadrën në sulm për të shënuar, por ata përfituan dhe na shënuan golin e tretë. Në ditët e sotme dhe në futbollin e sotëm nuk mund të nënvlerësosh asnjë skuadër dhe shqiptarët ishin më të mirë. Lojtarët tanë nuk kishin energji dhe ata na dominuan. Duhet të bënim më shumë, por të shohim se çfarë mund të ndodhë në shtator për të rregulluar situatën”, tha Levi.