Selamet e Thaçit në Prizren

Hashim Thaçi i rikthehet Prizrenit. Vizitoi këtë qytet dhe tha se fitorja do të jetë e Ramadan Mujës. Duke ia hedhur Eqrem Kryeziut dhe Zafir Berishës, u shpreh se nuk beson që një luftëtar i UÇK’së voton njeriun që pengoi vendosjen e shtatoreve.

Lajme

22/11/2013 22:30

Hashim Thaçi vazhdon të besojë se Prizreni është i PDK’së dhe fitorja në balotazhin e 1 dhjetorit po ashtu.

Në një takim që ka mbajtur me strukturat e partisë së tij në këtë qytet, të premten, siç raporton PrizrenPress, ai ka kërkuar angazhim në fushatën që pritet të nisë për garën midis Kandidatit të PDK’së Ramadan Muja dhe Kandidatit të LDK’së Eqrem Kryeziu.

“Me 3 nëntor Kandidati Muja arriti një fitore meritore. Kjo fitore tregoi se puna jonë ka qenë e qëlluar dhe se qytetarët kanë besim tek Muja”.

“Prizreni e di që është mikpritës. Por, e di që edhe nuk beson në ata që nuk duhet t’u besohet. E di që krejt ia kanë mësyer këtij qyteti, por më besoni se ardhja e tyre ka vetëm qëllimin e egos për pushtet. Por, unë ju them se Prizreni është yni dhe identiteti i PDK’së”.

Lideri i PDK’së, siç raporton PrizrenPress, ka ka deklaruar se Kundërkandidati i Ramadan Mujës, me 3 nëntor u dëshmua se ishte vetëm një material i riciklimit.

“Ndërsa, me 1 dhjetor nuk do të mbetet as si material për riciklim”.

“Nuk besoj se një luftëtar i UÇK’së e voton njeriun që pengoi vendosjen e shtatoreve të dëshmorëve të Xhevat Berishës dhe Ismet Jasharit-Kumanova.”

“Kundërkandidati i Mujës është ai që ka penguar shtatoret e këtyre dëshmorëve”.

Hashim Thaçi është shprehur tutje që Ramadan Muja nuk duhet t’i marrë me shqetësim akuzat që po i bëhen për ardhjen e Kryeministrave të shteteve të tjera në Prizren.

“Muja në Prizren me punën e tij ka arritur t’i sjellë Kryeministrat e shteteve të ndryshme, madje  edhe Baroneshën Ashton, kurse Kundërkandidati i tij, sa ka qenë në mandat, nuk ka mundur të sjellë as Kryetarin e Bashkësisë së Kukësit”.

Thaçi, po ashtu, ka deklaruar se koalicioni i Kryetarit të  BD’së Zafir Berisha me LDK’në dhe Eqrem Kryeziun është bashkim i bërë për interesa personale.

“Ne ia kemi shtri dorën e ofrimit për t’u kthyer në shtëpi…”, ka thënë ai.