Sela: Maqedonia jashtë NATO-s sjell ndarje tjetër mes shqiptarëve

Ziadin Sela, lideri i partisë Aleanca për Shqiptarët derisa ka komentuar çështjen e ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni, ka thënë se deputetët kanë shënuar një sukses të madh.

Lajme

25/10/2018 17:09

Sipas tij, nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike.

Kreu i Aleancës për Shqiptarët shtoi se, nëse do të stagnohej procesi i ndryshimeve kushtetuese, do të vinte edhe një ndarje tjetër për shqiptarët.

”Alternativë tjetër në lidhje me këtë çështje nuk kishte”.

”Arritja me shumë mundime e numrit 80 të deputetëve është për t’u përshëndetur me vet faktin se nuk ka alternativë tjetër për vendin veçse anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian”, tha Sela për Klan Kosova.

”Për shqiptarët në Maqedoni, hapja e Kushtetutës dhe anëtarësimi në NATO është rrugëtim i përbashkët. Ne nuk duhet assesi t’i paraprinim edhe një ndarjeje tjetër”.

”Mosanëtarësimi dhe stagnimi jashtë strukturave euroatlantike do të thoshte edhe një ndarje tjetër mes shqiptarëve”.

”Do të ishte më e arsyeshme që të gjithë deputetët ta përkrahin këtë hapje të ndryshimeve kushtetuese, aq më tepër që disa herë radhazi Parlamenti i Maqedonisë ka sjellë rezolutë që të përkrahet anëtarësimi i vendit në NATO dhe në Bashkim Evropian”.