Sela dhe Zaev takim kokë më kokë, a do të flitet për “Grupin Kumanova”

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela pritet që gjatë javës së ardhshme të zhvillojë një takim me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev.

Lajme

03/11/2017 20:37

Temë diskutimi ndërmjet dy politikanëve pritet të jetë edhe vendimi i fundit i autoriteteve maqedonase për “Grupin Kumanova”, ku u dënuan me shumë vite pjesëtarët e këtij grupi.

Në një prononcim për “Indeksonline”, Sela konfirmoi se me Zaevin do të diskutoj tema të ndryshme, duke mos harruar edhe rastin e fundit të dënimit të kosovarëve në Shkup.

“Sipas gjitha gjasave do të takohemi me kryeministrin Zaev. Po, do të flasim edhe rreth aktualiteteve politike”, ka thënë shkurt ai.

Ndryshe, Sela ishte politikani i parë shqiptar që reagoi ndaj dënimint të “Grupit Kumanova”. Në një reagim të lëshuar në emër të partisë ai kërkoi ndërhyrje urgjente të faktorit ndërkombëtarëve për epilogun politik-gjyqësor të rastit të Kumanovës.

“Vendimi i gjykatës penale me 746 vite burg për të dënuarit e Kumanovës, dhe 7 persona me burg të përjetshëm paraqet dënimin më të madh ndonjëherë ndaj shqiptarëve, ne historinë e Maqedonisë”, citohet në deklaratën e ASH-së.