Sekuestrohet rreth 1 ton drogë në Shqipëri

Droga u gjet brenda një furgoni mallrash, që dyshohet të ketë mbërritur nga Lazarati në këtë pjesë të bregdetit shqiptar, për t’u trafikuar më pas drejt Italisë.

Lajme

09/03/2014 20:47

Një ton drogë u sekuestrua paraditen e së dielës nga policia e Durrësit, në zonën e Gjirit të Lalzit, në komunën Ishëm.

Droga u gjet brenda një furgoni mallrash, me targa AA 708 BU, që dyshohet të ketë mbërritur nga Lazarati në këtë pjesë të bregdetit shqiptar, për t’u trafikuar më pas drejt Italisë.

Policia ushtroi kontroll në furgonin që u gjet në aksin rrugor Shkafanë-Shën Pjetër, pas një informacioni të marrë në rrugë operative.

Mjeti u gjet i mbushur plot e përplot me pako, brenda të cilave ndodhej kanabis sativa në gjendje të tharë, ndërsa nga peshimi i saj rezultoi të ishte rreth 1 ton.

Në kohën e kontrollit, në furgon nuk ka pasur asnjë person. Transportuesi dyshohet se e ka lënë mjetin, në pritje të marrjes në dorëzim nga porositësi i mallit, ndërsa mund të jetë informuar edhe për gjetjen e furgonit nga policia, dhe është larguar nga zona për të shmangur prangat.

Hetimet, për të identifikuar personat e përfshirë në këtë rast, kanë nisur nga targa e furgonit, si dhe marrja e dëshmive nga banorë të zonës përreth, që mund të kenë parë lëvizjet e furgonit në aksin rrugor Shkafanë-Shën Pjetër.

Nga verifikimet e bëra rezulton se targa e furgonit i përket rrethit të Gjirokastrës, gjë që e lidh origjinën e drogës me prodhimin masiv të saj në Lazarat.

Kohët e fundit është shtuar sasia e bimës narkotike të sekuestruar nga autoritetet shqiptare, si dhe ato të vendeve fqinje ku ajo është trafikuar.

Që nga fillimi i këtij viti, në Durrës janë sekuestruar 1,550 kilogramë kanabis sativa dhe 10 kilogramë heroinë, ndërsa vitin e kaluar u sekuestruan 5,5 ton bimë narkotike.

(Kosovapress)