Sekuestrohen 700 kg drogë

Sekuestrohen 700 kilogram dhe një laborator i paketimit të lëndës narkotike kanabis sativa në Durrës, ku shtatë persona janë vënë në pranga, mes tyre edhe 2 biznesmenë që financonin këtë aktivitet të paligjshëm .

Lajme

18/10/2015 09:21

Operacioni i koduar “KOORDINATA”, u krye në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Durrësit, Shkodrës dhe Tiranës nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërsa një person mundi t’i shpëtojë arrestimit të uniformave blu. Laboratori i drogës ishte ngritur në një vilë pranë zonës së ish-Kënetës në qytetin bregdetar, e cila kishte si pronar Iqmet Pashollarin. Policia sekuestroi në banesën e tij rreth 700 kilogramë kanabis të paketuar, një peshore elektronike dhe një makineri vakuumi, që shërbente për presimin e lëndës narkotike. Gjithashtu u sekuestruan edhe 7 automjete të parkuara në oborrin e vilës dhe 15 aparate celularë, shkruan Shekulli, transmeton lajmi.net.

rigon

Në mesin e të arrestuarve janë edhe dy biznesmenë, njëri nga Tirana, Ajet Sulaj dhe tjetri nga Shkodra, Bejdo Kota, të cilët dyshohet se kanë financuar të gjithë aktivitetin kriminal që zhvillohej në periferi të Durrësit. Biznesmeni nga Shkodra është pronar i lokali në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Sipas policisë, vlera totale e mallit të sekuestruar, nëse do të hidhej në treg, arrinte shifrën nga 1milion deri në 1.5 milionë euro. Origjina e lëndës narkotike ishte nga malësia e Krujës, teksa kultivuesit ishin Qerim e Lutfi Xeka babë e bir, të dy të arrestuar. Burime nga policia e Durrësit bëjnë me dije se kanabisi ishte transportuar me një automjet privat në pronësi të Pajtim Braçaj dhe Festim Xhelilaj, të cilët kishin rolin e transportuesit edhe këto të dy të arrestuar. Nga dyshimet e para të grupit hetimor të mbështetur edhe nga Prokuroria për Krimet e Rënda, kanë të bëjnë me një “Grup të strukturuar kriminal”, si edhe ndaj 7 arrestuarve rëndon akuza për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve e kryer në bashkëpunim”.

Sipas prokurorisë, ka dyshime të forta se sasia e madhe e lëndës narkotike të sekuestruar dje në qytetin bregdetar, kishte si destinacion përfundimtarë tregun italian. Kanabisi fillimisht sigurohej nga zonat e thella të Krujës dhe më pas, përpunohej dhe ambalazhohej në Durrës pranë ish-Kënetës në vilën e Iqmet Pashollarit. Të shtatë personat e arrestuar kishin më shumë se 2 muaj që ndiqeshin nga agjentët e antidrogës, ndërsa për të konkretizuar operacioni “KOORDINATA”, janë përdorur edhe metodat speciale të hetimit, si përgjimi ambiental dhe infiltrimi i personave të jashtëm. Nga ana tjetër, policia pohon se, vlera më të cilën ishte blerë lënda narkotike nga kultivuesit e Krujës, arrinte shifrën nga 500 deri në 700 euro për kilogram, ndërsa pas përpunimit, ambalazhimit dhe paketimit që i bëhej në laboratorin, i cili ishte në pronësi të Pashollarit, sasi e kanabisit nëse do të trafikohen për në tregun italian do të ishte 3-fish më lartë se vlera fillestare e mallit./lajmi.net