Sektori i ndërtimtarisë para kolapsit

Mbi 20 mijë të rinj të punësuar në sektorin e ndërtimtarisë kanë mbetur të papunë, ndërsa tregtia me materiale ndërtimore ka rënë për më shumë se 50 për qind. 

Lajme

01/08/2014 16:03

Kjo gjendje ka ardhur si pasojë e ndalimit të ndërtimeve në Kosovë nga autoritete komunale, në përpjekje për të respektuar ligjet, duke kërkuar nga ndërtuesit plotësimin e kushteve për ndërtim.

Por sipas ndërtuesve deri tek kjo gjendje ka ardhur si pasoj e procedurave burokratike për leje ndërtimi. 

Procedurat burokratike nga kuvendet komunale për leje ndërtimi po i shkatërrojnë sektorin e ndërtimtarisë i cili që nga pas lufta ka qenë një ndër shtyllat kryesore e zhvillimit ekonomikë të vendit. Kështu u tha të premten

Në një konferencë për media të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shoqata e ndërmarrjeve ndërtimore dhe prodhuesve të materialeve ndërtimore, me temën  “gjendjen aktuale në sektorin e ndërtimit, barrierat, sfidat, dhe pasojat”, e cila u mbajt të premten, u tha se kjo gjendje rrezikon edhe mbylljen e ndërmarrjeve prodhuese të materialit ndërtimor.

Safet Gërxhaliu kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), tha se proceduarat burokratike për leje ndërtimi janë bërë “kancer”, për zhvillimin ekonomikë të vendit.

“Jemi dëshmitarë të asaj që kohëve të fundit sektori i ndërtimit është duke u ballafaquar me sfida të shumta dhe këto sfida janë duke ndikuar qoftë në mënyrë direkte, qoftë në mënyrë indirekte, duke ndikuar në trendët dhe rrjedhat e ekonomisë kosovare”.

Gërxhaliu tha se bllokadat aktuale qoftë të natyrës burokratike, qofshin ato të formave tjera, e kanë sjellë sektorin e prodhimit të materialit ndërtimorë përpara kolapsit total.

“Si odë ekonomike jemi për sundim të rendit dhe ligjit, por duhet të kuptohet se rendi dhe ligji nuk vihen në funksion me anë të bllokadave dhe bllokimit të implementimit të ligjeve. Nuk duhet të bëhet një qasje gjeneralë ndaj sektorit”.

“Lejet e ndërtimit dhe burokracia komunale janë bërë ‘kancer’ për zhvillimin ekonomikë lokal, jo vetëm në Prishtinë, por në nivel dhe rrafsh horizontal”, tha Gërxhaliu.

Ndërkaq, Brahim Selimaj, kryetar  Shoqatës së ndërmarrjeve ndërtimore dhe prodhuesve të materialeve ndërtimore të Kosovës, tha se kërkesat e tyre po injorohen nga zyrtarët komunalë, në veçanti nga ata të Komunës së Prishtinës, ku është e orientuar 70 për qind e ndërtimit.