Sekretari Tillerson mohon thashethemet se do të dorëhiqet

Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson ka mohuar thashethemet për një prishje të marrëdhënieve me presidentin, Donald Trump, pas raportimeve të mediave që ai e kishte quajtur presidentin një “idiot”.

Bota

04/10/2017 23:40

“Unë nuk do të merrem me gjëra të vogla si kjo,” tha ai, pa mohuar këtë cilësim të supozuar.

Tillerson thirri  konferencë për media pasi një raport i NBC-së tha se ai kishte konsideruar dorëheqjen më parë gjatë këtij viti.

Ai tha se angazhimi i tij ndaj Shtëpisë së Bardhë ishte i fuqishëm si gjithmonë dhe ai do të qëndronte sa më gjatë që të ishte e nevojshme.

NBC kishte pohuar duke cituar burimet e Shtëpisë së Bardhë se Tillerson do të fliste për dorëheqjen në muajin korrik, transmeton Klan Kosova.

Në këtë raportim thuhej poashtu se ishte këshilluar nga Zëvendëspresidenti Mike Pence “për mënyrat për të lehtësuar tensionet” me presidentin,  diçka që Tillerson e mohoi.

“Zëvendëspresidenti kurrë nuk kishte punë për të më bindur mua që të qëndroj si Sekretar i Shtetit sepse kurrë nuk kam konsideruar të largohem nga ky post”, tha ai.

“Unë jam i ri në Washington, kam mësuar se ka disa që përpiqen të mbjellin mosmarrëveshje për të avancuar axhendën e tyre në një përpjekje për të minuar axhendën e Presidentit Trump”, ka thënë tutje ai.

Pak para se Tillerson të fliste, Donald Trump foli për raportin e tyre, duke shkruar:

“Lajmet e NBC janë #FakeNews (lajme të rreme) dhe më të pandershme se edhe të CNN-iy. Ata janë një turp për raportim të mirë. Nuk është çudi që vlerësimet e tyre për lajmet janë shumë poshtë!”, ka shkruar ai në Twitter.