Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i kërkon falje Turqisë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se është i informuar për ngjarjet e ndodhura në stërvitjen Trident Javelin të NATO-s në Norvegji, duke kërkuar "falje për gabimin e ndodhur".

Bota

17/11/2017 16:45

“Jam informuar për ngjarjet që ndodhën gjatë stërvitjes në Qendrën e Përbashkët Luftarake (JWC) të NATO-s në Stavanger të Norvegjisë. Kërkoj falje për gabimin e ndodhur. Ngjarjet kanë rrjedhur nga veprimet e një personi të vetëm dhe nuk pasqyrojnë pikëpamjet e NATO-s”, ka thënë Stoltenberg në një deklaratë në lidhje me skandalin e ndodhur në stërvitjen e NATO-s në JWC.

Duke vënë në dukje se është larguar menjëherë nga detyra personi që ka shkaktuar skandalin dhe se ka nisur një hetim rreth këtij personi, Stoltenberg tha se personi në fjalë nuk është punonjës i NATO-s.

“Është një nëpunës civil i emëruar nga Norvegjia. Vendimi i mundshëm i dënimit për këtë person do të jepet nga autoritetet norvegjeze”, vuri në dukje Stoltenberg, transmeton Anadolu Agency.

“Turqia është një aleate e vlefshme për NATO-n dhe ka kontribut të rëndësishëm në sigurinë e aleancës”, shtoi ai.

Ndryshe, gjatë disa simulimeve kompjuterike gjatë stërvitjes së NATO-s në JWC, emri i presidentit të Turqisë Recep Tayyip Erdoğan dhe fotografia e themeluesit të Republikës së Turqisë u treguan si armiqësorë.

Më herët, presidenti turk Erdoğan njoftoi se kanë vendosur që të tërheqin 40 ushtarët turq nga stërvitja e NATO-s në Norvegji si rezultat i incidentit.