Sekretari i Kuvendit flet për seancën konstituive

Administrata e Kuvendit të Kosovës është e gatshme kurdo që i kërkohet ta përgatisë seancën konstituive. Akoma nuk ka datë të saktë se kur do të ndodhë kjo gjë.

Lajme

17/07/2017 10:11

Madje ajo do ta bëjë publik këtë veprim edhe në faqen zyrtare të Kuvendit. Kështu ka thënë për Gazetën Express, Ismet Krasniqi, sekretar i përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës.

Sipas Krasniqit, mbetet vetëm të bëhet thirrja e seancës.

“Thirrja (data) e seancës konstitutive është e rregulluar me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, pra nuk është në mandatin e Administratës”, ka thënë ai për Express.

“Sa u përket përgatitjeve për seancën konstituive për Legjislaturën e Gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Administrata e Kuvendit është e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e veta logjistike, në çdo kohë kur kërkohet nga ajo”.

“Pra, në momentin kur kërkohet nga Administrata, edhe përmes ueb-faqes së Kuvendit, do t’i bëjë publike veprimet qe do të ndërmerren”.

E pasi të mbahet seanca, do të ndodhë edhe votimi i Qeverisë. Kështu bëjnë të ditur përfaqësuesit e koalicionit PDK-AAK-Nisma (PAN), të cilët thonë se seanca e parë e Kuvendit pritet të mbahet gjatë kësaj jave.

Sipas tyre, kandidat për kryekuvendar nga koalicioni më i madh i dalë në zgjedhjet e 11 qershorit, pritet të jetë lideri i PDK-së, Kadri Veseli.

Mirëpo, ndonëse është raportuar se ka deputetë të AKR-së, të cilët do ta votojnë Qeverinë në krye me Ramush Haradinajn, zyrtarë të këtij subjekti kanë thënë të vendosur se asnjë deputet i AKR-së nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

Ata madje kanë theksuar se nuk do ta votojnë as kandidatin për kryeparlamentar nga radhët e PAN-it, Kadri Veseli. Por pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e PAN-it kanë ritheksuar sërish se i kanë numrat e nevojshëm për ta bërë Qeverinë.