Sekiraqa arrestohet për vrasjen e policit Triumf Riza

Sapo është liruar nga Burgu i Dubravës ku ka kryer dënimin për dhunim, Enver Sekiraqa, është arrestuar nga EULEX’it për rastin e vrasjes së policit, Triumf Riza. Ai dyshohet se ka qene organizatori kryesor i vrasjes se policit Riza. EULEX konfirmon arrestimin.

Lajme

03/01/2014 14:08

Enver Sekiraqa e ka kryer sot vuajtjen e dënimit me burg për një rast dhunimi.

Por, liria e tij nuk ka zgjatur shumë.

Sapo është liruar nga Burgu i Dubravës ku ka kryer dënimin për dhunim ai është arrestuar menjëherë për një rast tjetër të rëndësishëm nga Policia.

Burime të lajmi.net nga Burgu i Dubravës bëjnë të ditur se Sekiraqa është arrestuar brenda ndërtesës së burgut, ende pa e kaluar derën e cila i nxjerrë në liri të burgosurit, nga ana e EULEX’it, për rastin e vrasjes së policit të Njësisë Speciale, Triumf Riza.

Sekiraqa dyshohet se ka qene organizatori kryesor i vrasjes se policit ne vitin 2007.

Arrestimi i Sekiraqës është konfirmuar për lajmi.net edhe nga zëdhënësi i EULEX’it, Blerim Krasniqi.

“Sot në ora 13:35, Policia e EULEX’it nga Njësia për Hetimin e Krimit të Organizuar arrestoi Enver Sekiraqën, pas lirimit të tij nga burgu i Dubravës ku shërbeu një dënim”.

“Sekiraqa është arrestuar nën dyshimin për vrasje të rëndë të pjesëtarit të Policisë së Kosovës Triumf Riza, dhe për të një prokuror ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka parashtruar kërkesë për paraburgim”.

Ndryshe ai deri tash kishte vuajtur burgimin prej 2.5 vjet për veprën e dhunimit.

Për vrasjen e policit Riza, e cila kishte ndodhur më 31 gusht të vitit 2007 në parkingun “Flamurtari” në Dardani, është dënuar një bashkëpunëtor i Sekiraqës, Arben Berisha.

Berisha është dënuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë me 40 vjet burgim për vrasjen e ish policit Triumf Riza.

Berisha është gjetur fajtor për vrasje të rëndë sipas nenit 147 të Kodit Penal të Kosovës.

Të akuzuarit tjetër Fitim Avdiu i janë shqiptuar 10 vite burgim si bashkëkryerës i kësaj vepre penale, ndërsa Agron Emini është dënuar me 2.000 euro gjobë për mos lajmërim të rastit.