Sejdiu: Taksa e vendosur nga Kosova, një hap i domosdoshëm

Deputeti nga radhët e Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Sejdiu nëpërmjet një postimi në Facebook ka komentuar taksën e fundit të vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet që vijnë nga Serbia.

Lajme

24/11/2018 15:38

Ai është shprehur se kjo taksë është hap i domosdoshëm për të siguruar trajtim të barabartë në marrëdhëniet tona tregtare, shkruan lajmi.net.

Ai ka numëruar 3 hapa të domosdoshëm që duhet të merren në raport me Serbinë në aspektin ekonomik.

“Reciprociteti i plotë tregar dhe ekonomik, vendosja e flamurit të shtetit të prejardhjes së produktit tek çmimet e produktit në secilën pike të shitjes dhe rijimi i Fondit Zhvillimor të Kosovës, në shërbim sidomos të tre industrive: Industrinë e përpunimit të ushqimit, Sektorin e shërbimeve në IT dhe Sektorin energjetik dhe minerar”, sipas Sejdiut janë hapat që duhet të merren.

Ky është postimi i tij i plotë:

MARRËDHËNIET TREGTARE (ME SERBINË): QEVERIA TA ZBATOJË RECIPROCITETIN E PLOTË, TË VENDOSË FLAMUJT E PREJARDHJES SË PRODUKTEVE NË PIKAT E SHITJES, TA KRIJOJË FONDIN ZHVILLIMOR

Pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës mbi taksat për prodhimet me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja-Herzegovina, Qeveria e Serbisë përpiqet tanimë ta bllokojë qarkullimin e çdo malli nga vendet e tjera, që kalon përmes territorit të Serbisë për në Kosovë!

Taksa e vendosur nga Republika e Kosovës është hap i domosdoshëm për të siguruar trajtim të barabartë në marrëdhëniet tona tregtare.

Veprimi i Qeverisë së Serbisë shperfaq saktë dhe qartë pse Republika e Kosovës duhet të vendos masa të plota reciproke politike dhe tregtare edhe me Serbinë!

Qeveria e Serbisë po thotë: Ose mall nga ne, ose asnjë mall tjetër!

Ose mall te subvencionuar, pak para skadence, me çmime nën kosto të prodhimit; ose asgjë!

Qeveria e Kosovës nuk duhet zbrapsur tash!

Tre hapa janë të domosdoshëm:

Reciprocitet i plotë tregtar dhe ekonomik!

Vendosja e flamurit të shtetit të prejardhjes së produktit tek çmimet e produkteve në secilin pike të shitjes!

Krijimi i Fondit Zhvillimor të Kosovës, në shërbim sidomos të tre industrive: Industrinë e përpunimit të ushqimit, Sektorin e shërbimeve në IT dhe Sektorin energjetik dhe minerar.

Shtet zhvillimor ose varësi ekonomike! Rrugë të ndërmjetme nuk ka!

Duaje tëndën! ./Lajmi.net/