Sejdiu për Hotin: Një ekonomist i dobët që ka humbur kontrollin

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, ka komentuar premtimet e kandidatit për kryeministër të koalicionit LDK-AKR, Avdullah Hoti, të vilat i ka quajtura absurde.

Lajme

29/05/2017 16:50

Sipas Sejdiut, premtimet për buxhet miliardash të Hotit janë totalisht të parealizueshme dhe vetëm një ekonomistë i dobët do t’i bënte.

Ky është statusi i plotë i Sejdiut:

Intelektuali “i urtë”, ekonomisti “i mirë”, ministri ‘i suksesshëm”, kandidati për kryeministër i LDK-së, Avdullah Hoti qenka dorëzuar që para nisjes së fushatës.

Vetëm një matematikan e ekonomist i dobët dhe politikan i papërgjegjshëm e i pashpresë mund të humb kontrollin në premtimet e tij, në masën me të cilën këtë po e bën Hoti.

Në takimin me të rinj në Pejë, Hoti paska premtuar se buxhetin e shtetit do ta rrisë në 5 miliardë euro për vit, vetëm brenda këtij mandati katërvjeçar, nga niveli prej 2 miliardë sa qenka tani. Si fillim ju rikujtoj që buxheti është vetëm 1.72 miliardë e pjesa tjetër është huamarrje.

Tani dua t’ju dëshmoj pse ky premtim është më i pashpresë, më aventuresk dhe i palogjikshëm se vetë premtimi epik i 200.000 vendeve të punës nga zgjedhjet paraprake.

Buxheti i Republikës së Kosovës për momentin është afërsisht 26.5% e Bruto Produktit Vendor, nëse fokusohemi në të hyrat tatimore të planifikuara për këtë vit, kurse në bazë të shpenzimeve, kjo përqindje arrin në 31%.

Nëse Avdullah Hoti premton buxhet prej 5 miliardësh në vitin 2021, atëherë një matematikë e thjeshtë na tregon që Bruto Produkti Vendor në vitin 2021 do të ishte afërsisht 18.2 miliardë euro. Nëse Avdullah Hoti arrin të trefishojë normën e rritjes ekonomike në 8% për vit atëherë Kosovës i duhen 13.5 vite pandërprerë rritje e lartë ekonomike për të arritur këtë premtim.

Për të realizuar premtimin e tij, Avdullah Hotit do t’i duhet rritje ekonomike prej 30% në bazë vjetore për katër vite rresht. Tani gjykojeni dhe vlerësojeni kualitetin e ekonomistit të LDK-së dhe kualitetin e premtimeve të tyre.

Si përfundim, me një rritje konstante prej 20% për katër vite, Kosova do kish qenë në gjendje të krijojë 200.000 vende pune shtesë. Kjo mbase ju ndihmon të krahasoni premtimin për 200.000 vende pune dhe këtë të tanishmin për buxhet prej 5 miliardë euro brenda mandatit 4 vjeçar, dhe ju ndihmon të kuptoni edhe kualitetin e shumë premtimeve të tjera të tij e me këtë edhe gjithë brengat e Hotit për gjasat e subjektit të tij politik.