Sejdiu në fushatën e Mustafës

Për herë të parë, Fatmir Sejdiu del në fushatën e Isa Mustafës në Prishtinë. Këtë e bëri në degën të cilës Sejdiu i përket, atë të Dytën.

Lajme

30/10/2013 10:06

Kryetari i nderit i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha mbrëmë gjatë një tubimi parazgjedhor të Degës së Dytë të LDK-së në Prishtinë, se ideja largpamëse e Presidentit Ibrahim Rugova për krijimin e një shteti funksional dhe në shërbim të interesave të qytetarëve të  tij do të realizohet, por kërkoi nga mbështetësit e kësaj ideje të angazhohen fuqishëm që Lidhja Demokratike e Kosovës të marrë përsipër për ta çuar këtë vizion përpara.

Kjo ka qenë hera e parë që Fatmir Sejdiu doli në fushatë për kandidaturën e isa Mustafës për kreun e Prishtinës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është një kala që ndërtohet në vazhdimësi. Lidhja Demokratike nuk do të shembet. LDK-ja është ideja dhe vizioni largpamës i Presidentit Ibrahim Rugova. Ashtu sikur shumë të tjerë këtu, kam pasur fatin të jem me të. Kemi punuar pa hile, pa zhurmë, kemi ndërtuar shtetin në në rrethana të pamundshme për ta ndërtuar. Këtë e ka bërë LDK”, tha Sejdiu.

Sipas tij, ajo që e shquan LDK’në është lufta për institucionet e shtetit. Por, ai tha se LDK’ja angazhohet për institucionet që duhet të dalin nga vullneti i qytetarëve. “Nga votat që s’dalin nga hajnia, nga vota që s’del prej dhunës, nga vota që s’del prej kërcënimit, nga vota që s’del prej zhurmës”, tha ish-Presidenti Sejdiu.

Ai tha se LDK’ja ka botën shpirtërore dhe garancinë që ta çojë projektin e vet përpara, vizionin për shtetin e Kosovës. “Prandaj, ne na takon ta vazhdojmë këtë mision, të vazhdojmë bërjen e shtetit të Kosovës, i cili duhet të jetë i qytetarëve të saj. Ky proces është shumë i gjatë dhe pa ndihmën e secilit nuk do të bëhet. Por, LDK ka shpirt të gjallë, të tolerancës, respektit për secilin qytetar të Kosovës”, tha Sejdiu.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës ta mbështesin LDK’në.

“LDK’ja ka nevojë për mbështetës dhe për mbështetës të dinjitetshëm, ka nevojë të zhvillohet dhe punën ta bëjë me secilin, ju jeni ata që do ta sillni fitoren e LDK’së”, u tha Sejdiu pjesëmarrësve të këtij tubimi parazgjedhor të degës së Dytë të LDK-së në Prishtinë.

Kryetari i Prishtinës dhe i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, theksoi se është i bindur që entuziazmi dhe mobilizimi LDK’së do t’i sjellin fitore në shumicën e komunave të Kosovës më 3 nëntor si dhe fitoren e madhe në zgjedhjet nacionale të vitit të ardhshëm.

“Kemi punuar, jemi munduar të zgjidhim problemet themelore, edhe në këtë pjesë të qytetit e fshatrave të Prishtinës. Në mandatin e ardhshëm do të realizojmë projektet strategjike, që janë me rëndësi për Prishtinën dhe tërë Kosovën”, tha kryetari Mustafa.

Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Prishtinës dhe tërë Kosovës, që më 3 nëntor të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për LDK-në, duke theksuar se vota për LDK’në është votë për çdo qytetar, pasi që njerëzit e LDK’së do të zhvillojnë një qeverisje demokratike, për qytetarët.

Kryetari Mustafa u shpreh i bindur se në Prishtinë Lidhja Demokratike e Kosovës do të arrijë një fitore të madhe, duke theksuar se gjatë mandateve të kaluara, në komunën e Prishtinës LDK’ja ka qeverisur në mënyrë të përgjegjshme, transparente dhe demokratike.