Sejdiu e sheh AKR-në pjesë të qeverisë së ardhshme

Zyrtarë të Aleancës Kosova e Re (AKR), shprehen se kjo parti pas zgjedhjeve nacionale do të jetë parti parlamentare dhe faktor kyç në formimin e qeverisë së re.

Lajme

29/03/2017 09:54

Po ashtu, në këtë parti e shohin vetën si motor të qeverisë së ardhshme për të stimuluar zhvillimin ekonomik.

Korab Sejdiu anëtarë i AKR-së, ka thënë për lajmi.net, se kjo parti do të jetë kontribuese në qeverinë e ardhshme në sferat që përmirësojnë jetën e qytetarëve.

“Pas zgjedhjeve të përgjithshme, AKR-në e shoh si parti me prezencë përmbajtjesore parlamentare dhe me pozicion kyç në qeverinë e ardhshme te vendit.  Njeheri, e shoh edhe si motor i qeverisë së ardhshme për të stimuluar zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe kontribuues serioz në vendosjen e sundimit të ligjit dhe sferave të tjera qe kontribuojnë ne përmirësimin e jetës së qytetareve”, ka thënë Sejdiu për lajmi.net.

Lidhur më atë se kush do të ishin partnerët e AKR-së në qeverisje dhe nëse kanë vija të kuqe për ndonjë parti, Sejdiu ka deklaruar se ata nuk kanë preferenca individuale apo partiake. Megjithatë, ai është shprehur se kushti i vetëm nga kjo parti është që të kenë njerëz të pakorruptuar dhe profesionistë që janë të gatshëm të punojnë për të mirën e vendit.

“AKR është parti progresive liberale dhe si e tillë nuk kufizohet ne te menduarit primitive të vijave.  Ne besojmë plotësisht që zgjedhjet e ardhshme parlamentare do te jenë betejë e vërtetë në mes të së mirës dhe të keqes”.

“AKR është e hapur ndaj bashkëpunimit me të gjithë njerëzit e mirë të Kosovës, pavarësisht a janë përfaqësues të  AKR-së, shoqërisë  civile, profesionistë, por edhe pjesëtarë të partive tjera.  Kushti i vetëm është që bashkëpunëtoret tanë të kenë histori te pastër dhe të pakorruptuar, të jenë profesionistë të aftë dhe të shkathte për të marrë përgjegjësitë qe u takojnë, dhe ta mbajnë interesin e Kosovës dhe qytetarit  te saj si diçka të shenjte”, është shprehur Sejdiu.

Kohëve të fundit partitë opozitare kanë filluar të flasin për partneret e tyre në qeveri pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithëshme.

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të qartë se preferon një koalicion të partive opozitare, ndërsa AAK është shprehur se nuk ka vija të kuqe me asnjë parti./ Lajmi.net/