Sejdiu: Agjencia Kundër Korrupsionit si tigri pa dhëmbë dhe kthetra

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu në emër të Komisionit për Legjislacion ka folur për raportin e Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2017.

Lajme

06/06/2018 16:14

Ajo ka shprehur shqetësimin e saj se si Qeveria e Kosovës ka shti në fuqi strategjinë pesë vjeçare të AKK-së, duke mos e sjell atë Kuvend për miratim.

“Sipas ligjit për AKK thuhet se Qeveria i propozon Kuvendit strategjinë 5 vjecare mirëpo ajo cka ka ndodhur është se Qeveria e ka votuar këtë strategji dhe e ka shti në fuqi pa e pru fare në Kuvendin e Kosovës.  Qeveria Haradinaj e ka shkelur ligjin për AKK-në i cili thekson që Kuvendi është institucioni i cili duhet ta miratojë këtë strategji”, tha Haxhiu.

Deputetja Haxhiu ka thënë se në komision janë njoftuar se AKK-ja ka zhvilluar hetime paraprake për 357 raste.

“ Në vitin 2017 janë pranuar 312 raste,  109 raste janë dërguar për kallëzim penal të përcjella në prokurori dhe polici, 18 raste për shkelje administrative, 92 raste janë mbyllur, 139 raste janë nën hetime kurse janë trajtuar 85 informacione anonime”, tregoi ajo.

Haxhiu tha se AKK-ja së bashku me Ministrinë e Drejtësisë janë në proces të ndryshimit të Ligjit të AKK-së, Ligjin për Deklarim dhe Prejardhje të Pasurisë dhe së fundmi do të procedojnë Ligjin për Sinjalizues.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Nezir Çoçaj, tha se shqetësuese është mos deklarimi i pasurisë i personave politikë.

“Grupi Parlamentar i PDK-së shpreh shqetësim për faktin se 32 zyrtarë të lartë publikë nga Qeveria dhe pesë zyrtarë nga gjykatat nuk kanë deklaruar pasurinë. Rastet e mos deklarimit të pasurisë evidentohen edhe te zyrtarët të cilët e kanë mbaruar funksionin apo janë shkarkuar nga funksioni. Pra kemi 60 raste të tilla”, tha Çoçaj.

E deputeti Korab Sejdiu në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së tha AKK-ja nuk ka kornizë ligjore që i mundëson të jetë më i fuqishëm si institucion.

“Shpesh herë lëndët të cilët ata i përgatisin mbesin në nivel të sirtarit të prokurorisë, mbesin në nivel të kallëzimeve penale dhe nuk shkojnë tutje. Në njëfarë mënyrë është njëfarë tigri pa dhëmbë dhe pa kthetra që në shikim të parë duket shumë i rrezikshëm, mirëpo kur shqyrtohet më tutje kapaciteti me i arritë synimet, mbetet shumë i kufizuar”, tha Sejdiu.

Deputetja Shqipe Pantina PSD dha dy kritika për Agjencinë Kundër Korrupsionit si në interpretimit të konfliktit të interesit dhe deklarimin e gabueshëm tek parat kesh.

“Ka shumë raste kur agjencia nuk e ka bërë  mirë interpretimin e konfliktit të interesit dhe këtu po e përmend një rast kur Kuvendi ka ra në lajthitje. Po flas për një rast që ka të bëjë me një anëtare të bordit të RTK-së ku agjencia ka thënë se nuk ka konflikt interesi ndërsa zyra ligjore e Kuvendit pati vlerësuar se ka konflikt interesi.  Çështja tjetër është të publikimi i formularëve të deklarimit të pasurisë. Ka shumë raste kur shuma e deklaruar sidomos parat kesh që mbahen janë keq publikuar”, tha Pantina./Kallxo.com