Seanca kuvendore filloi me përplasje mes LSDM-së dhe VMRO-së

Seanca e Kuvendit të Maqedonisë sot filloi me një përplasje mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, për të vazhduar me numrin e madh të replikave ndaj fjalimit të Antonio Milloshoskit, të cilat vijnë kryesisht nga deputetët e partisë së tij, gjë që nuk ka qenë praktikë e deritanishme. Pra, fjalimi i Milloshoskit ka nxitur replikat e thuajse të gjithë deputetëve të VMRO-DPMNE-së, dhe  debati po vazhdon replikë-kundër-replikë.

Lajme

27/03/2017 14:08

Ndryshe përkujtojmë se Antonio Milloshoski që në fillim të seancës gjatë fjalimit të tij kritikoi ashpër siç u shpreh ai tentimin për formimin e një shteti binacional që rrezikon stabilitetin e vendit. Ai tha se bëhet fjalë për tradhti pas-zgjedhore. Sipas Milloshoskit është e pakuptim që të premtohet rritje të pagës mesatare dhe pas zgjedhjeve të synohet që shteti të shndërrohet në binacional.

“Nuk është mire që të tentojmë të formojmë shtet binacional duke lënë nën hije shumicën e vullnetit të qytetarëve. Përvoja flet se shtet binacionale nuk janë shtet të qëndrueshme”. Mos të harrojmë se në shtet nuk jetojnë vetëm maqedonasit, por edhe shqiptarët, serbët, boshnjakët, turqit dhe të tjerë që Maqedoninë e konsiderojnë si shtet të tyre. Andaj duhet pasur parasysh këtë kur të vendosim për kreun e ri të Kuvendit. Sepse ideja për shtet binacional mund të rrezikoj stabilitetin e shtetit”, tha Miloshoski I cili njëherit pyeti se cili është qëllimi për momentin në Maqedoni. Integrimi në BE dhe prosperiteti i vendit, apo formimi i një shteti binacional, dygjuhësor.

“Veprimet e fundit rrezikojnë edhe atë që u arrit në 2001 përmes Marrëveshjes së Ohrit. Në rast se stabiliteti I shtetit është interes I jonë I përbashkët, atëherë duhet të kemi parasysh dhe të respektojmë shumicën e qytetarëve të Maqedonisë. Në të kundërtën me lënien në opozitë numrin më të madh të qytetarëve vetëm se thellojmë edhe më tej krizën politike”, u shpreh Milloshoski.

Ndaj fjalimit të Milloshoskit u paraqitën një numër i madh deputetësh për replikë, shumica prej tyre nga partia e Milloshoskit, VMRO-DPMNE. Kjo nxiti reagimin procedural të Oliver Spasovskit nga LSDM-ja.

“është për tu habitur se si një numër i madh i deputetëve të VMRO-DPMNE-së paraqiten për replikë ndaj deputetit që vjen nga radhët e tyre. Në rast se nuk ekzistojnë grupet parlamentare, atëherë pse humbëm kohë që sa ditë në koordinim me Ju. Situata vjen në absurditet në rast se ne jemi marrë vesh në koordinim në emër personal”, tha Oliver Spasovski, LSDM, procedurale.

“Në bazë të rregullores kjo është e drejtë legjitime, derisa nuk ka grupe parlamentare, secili deputet mund t’i replikoj gjithsecilit. Kështu thotë rregullorja, e ajo që thoni ju është diç tjetër. Në bazë të rregullores për punën e Kuvendit është e lejuar që një deputet ti replikoj një deputeti tjetër, derisa nuk janë në një grup parlamentar”, u përgjigj Trajko Veljanoski, kryesues i seancës.

Ndërkohë deputeti i VMRO-DPMNE-së Ilija Dimovski, duke u thirrur në deklaratën e djeshme të liderit opozitarë Zoran Zaev, se është i gatshëm për debat, për ti hapur të gjitha çështjet dhe për të diskutuar rreth tyre, tha se Kuvendi është pikërisht vendi ku duhet të debatohet, dhe numrin e replikantëve e sheh në frymën e debatit.

“Gjatë ditës së djeshme kishim apel nga lideri i LSDM-së për debat dhe sipas tij t’i hapim të gjitha temat për diskutim. Prej këtu mendoj se debati është e drejtë e deputetëve e garantuar me Kushtetutë dhe me rregullore. Shpresoj që të mos i shkoj askujt ndërmend që të kufizoj debatin e deputetëve, sepse siç thash kjo është e garantuar me ligj dhe kushtetutë”, deklaroi ILija Dimovski, VMRO-DPMNE.

Nga ana tjetër Xhevat Ademi, kërkoi nga deputetët e VMRO-DPMNE-së që të mos keqpërdorin Deklaratën shqiptare, dhe të mos kërkojnë shpëtim në fijen e kashtës.

“Në emër të BDI-së të përshëndes vazhdimin e seancës dhe kjo është më se e nevojshme për shtetin dhe për procesin pse jo edhe për ardhmërinë tonë. Dëshiroj të them se kemi mirëkuptim për gjithçka që është në kuadër të rregullores dhe debatit. Këtu nuk ka keqkuptime, megjithatë kam një sugjerim kolegjial për kolegët deputetë, të jen të kujdesshëm se çfarë orientimi do ti japin debatit. Sot jemi këtu që të konstituojmë organet e kuvendit, komisionin për zgjedhje dhe emërime, andaj me një sugjerim shumë miqësor, mos u kapni me tema jo të rëndësishme. Mos u kapni për fijen e kashtës, mendoj në Platformën shqiptare, ajo deklaratë është produkt vendor. Është vendim i qytetarëve shqiptarë të Republikës së Maqedonisë”, tha Ademi .

Dimovskii pyeti Ademin në mënyrë direke se kush i dha BDI-së të drejtën që të përcaktoj se kush është fitues në Republikën e Maqedonisë. /AlsatM/