Së shpejti hapet konkursi për zgjedhjen e drejtorëve të Klinikave

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, së shpejti do të hapë konkurs për zgjedhjen e drejtorëve të klinikave në QKUK.

Lajme

23/03/2018 10:48

Përparësi do të kenë kandidatët që punojnë  me orar të plotë, e jo siç ka ndodh deri me tani, të  punojnë  vetëm me gjysmë orari. Kështu ka thënë për Radio Kosovën Basri Sejdiu, drejtor i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Të gjitha klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë duke punuar me ushtrues detyre të pozitës së drejtorit. Drejtori i Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, tha për Radio Kosovën se aktualisht e ka prioritet hapjen e konkursit për drejtorë të klinikave.

“Menjëherë kemi marrë hapa që të fillohet të procedohet konkursi për UD-të e klinikave dhe disa spitaleve. Gjithmonë duke u bazuar në statutin e SHSKUK-së dhe QKUK-së, nuk do të thotë që dikush që ka qenë drejtor do të jetë prapë, por mendojmë dhe do të krijojmë kritere që të zgjedhim me të mirët, edhe ata të cilët janë me orar të plotë. Ndërsa ata që e kanë orarin e shkurtë nuk do të zgjidhen”, tha Sejdiu.

Nëse, menaxhmenti synon që të bëjë ndryshime në ofrimin e shërbimeve shëndetësore, atëherë duhet që të kërkojë më shumë llogari nga drejtorët e klinikave, tha Blerim Syla, kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.

“Është koha e fundit që ata që do të përzgjidhen, t’u japin përgjegjësi, por në të njëjtën kohë të kërkojnë përgjegjësi nga ta. Është e pa tolerueshme më, të zgjedhim drejtorët dhe pas tre muajve  ata që janë zgjedh në mënyra të ndryshme,të mos japin asnjë përgjegjësi për dështimet eventuale”, tha Syla.

Nga ana e tij, drejtori i Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu,  tha për Radio Kosovën se pas zgjedhjes së drejtorëve të klinikave në QKUK-së, do të hapën konkurse për drejtorët e disa spitaleve rajonale.