Së shpejti e bëjmë edhe qeverinë e re!

Kryetari i kontestuar i Kuvendit të Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur të hënën liderin a AAK-së, Ramush Haradinaj dhe atë të Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, për të diskutuar për hapat e mëtutjeshëm të bllokut opozitar LDK-AAK-Nisma, në ndërtimin e institucioneve të vendit.

Lajme

21/07/2014 16:51

I mandatuari për kryeministër nga koalicioni paszgjedhor, Ramush Haradinaj tha se takimi ishte për të diskutuar rreth konstituimit të Kuvendit me nënkryetarët e tjerë dhe formimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Lideri i AAK-së tha se nuk ka kthim në pikën zero.

Madje Haradinaj e quajti shpikje termin kthim në pikën zero, sepse tashmë sipas tij janë zgjedhur një pjesë e udhëheqjes së Kuvendit të Kosovës.

“Koalicioni LDK-AAK-Nisma do të formojë shumë shpejtë edhe Qeverinë”, tha Haradinaj, derisa ka ritheksuar përsëri mundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje.

Partia e Albin Kurtit ka vënë dy kushte për mbështetjen, eventualisht pjesëmarrjen në qeverinë e re: e para, udhëheqjen prej saj të dialogut me Serbinë dhe rishikimin e marrëveshjeve, dhe e dyta, stopimin e privatizimit dhe rishikimin e tërësishëm të tij.