Së shpejti demarkacioni me Malin e Zi

Demarkacioni mes Kosovës dhe Malit të Zi, do të përfundoj brenda një kohet të shkurtër, tha të mërkurën ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, pas takimit me homologun e tij malazez, Rasko Konjevic.

Lajme

26/03/2014 12:11

Demarkacioni mes Kosovës dhe Malit të Zi, do të përfundoj brenda një kohet të shkurtër, tha të mërkurën ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, pas takimit me homologun e tij malazez, Rasko Konjevic

Ministrat Rexhepi e Konjevic gjatë takimit në Prishtinë nënshkruan edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes dy policive, në shërbim të luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

“Sot nënshkruam një marrëveshje  bashkëpunimi në mes dy policive  dhe presim që gjatë ditës të nënshkruajmë edhe marrëveshje të tjera”.

Rexhepi tha se është diskutuar edhe mundësia e shkëmbimit të përvojave policore dhe të patrullimit të përbashkët gjatë sezonit të verës.

Nga ana e tij, ministri malazez tha se sa i përket marrëveshjës për kufirin, ekspertët e të dyja vendeve së shpejti duhet të finalizojnë demarkacionin e kufirit në mënyrë që t’i dërgohet një porosi e përbashkët Komisionit Evropian mbi bashkëpunimin rajonal.

Konjevic po ashtu vlerësoi lartë marrëveshjet e deritanishme të nënshkruara me Kosovën si në aspektin politik ashtu edhe në atë operativ.