Së shpejti bisedime të reja me Luginën

Qeveria e Serbisë pret që bisedimet me përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginën e Preshevës të fillojnë në vitin e ardhshëm.

Lajme

08/12/2013 10:42

Kryetari i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankovic, thotë se vitin e ardhshëm do të krijohet një listë e re e kritereve për këto komuna.

“Sipas planit parashihet se kjo listë do të krijohet në bazë të kritereve ndërkombëtare”.

“Për t’i zgjidhur problemet në përputhje me konventat ndërkombëtare, kjo listë duhet të jetë në përputhje me marrëveshjen e shqiptarëve lokal dhe përfshirjen e bashkësisë ndërkombëtare si garantues”, ka thënë Stankovic për RTS’në.

Ai pret që bisedimet me përfaqësuesit e shqiptarëve, të fillojnë sa më shpejt.

“Bisedimet kanë për qëllim që të zbatojnë çdo gjë që është arritur për këto 12 vjet, në mënyrë që këto tri komuna të funksionojnë sikurse edhe komunat tjera”.

Stankovic thotë se nuk e kupton mos gatishmërinë për të biseduar nga Përfaqësuesi i Shqiptarëve, Riza Halimit, pasi që sipas tij, në këto bisedime janë përfshirë 13 ministra të Qeverisë së Serbisë.

“Ky qëndrim i ngushtë i tyre nuk i përgjigjet gjendjes faktike”.

Kryetari i këtij Trupi Koordinues, tha se në bisedimet me Kryeministrin e Serbisë, Ivica Dacic, është dakorduar që të ketë analizë tremujore për të parë se çfarë është realizuar dhe çka jo nga marrëveshja e arritur.

Stankovic tha se fondet e Trupit Koordinues për vitin e ardhshëm do të kenë një rritje për pushtetin lokal në vlerë prej nëntë për qind dhe rikujtoi se në 12 vjet e fundit, Trupi Koordinues ka ndarë rreth 70 milionë euro për pushtetin lokal të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.