Hoti: Së pari zgjedhje pastaj dialog me Serbinë

Shefi i Grupit Parlamentarë të LDK-së, Avdullah Hoti ka kërkuar që fillimisht vendi të shkojë në zgjedhje e pastaj të zhvillohet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajme

15/10/2018 13:29

Avdullah Hoti ka kërkuar që fillimisht vendi të shkojë në zgjedhje e pastaj të zhvillohet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

“Së pari zgjedhje, pastaj dialog – projekt që prodhon stabilitet institucional dhe eviton rreziqet gjeopolitike që po i kanosen Kosovës”, ka shkruar Hoti në Facebook, përcjell lajmi.net.

Ai po ashtu ka thënë se “nuk mund të pretendojmë t’i normalizojmë raportet me Serbinë, e në të njëjtën kohë të kemi raporte jo normale institucionale brenda në Kosovë”.

Sipas tij gjendja aktuale në Kosovë nuk po prodhon normalitet të brendshëm, e as zhvillim në asnjë segment të jetës.

Sipas Hotit “Së pari zgjedhje, pastaj dialog – është renditja e veprimeve politike që normalizon gjendjen politike dhe siguron stabilitetin institucional në Kosovë, si dhe krijon parakushtet për arritje të marrëveshjes dhe normalizim të marrëdhënieve me Serbinë”.

“Për më tepër, nuk mund të vazhdohet rrugëtimi normal i Kosovës drejt BE-së kur situata e krijuar në Kosovë, e krijuar me angazhimin anti kushtetues të Presidentit Thaçi për korrigjimin e kufijve, e ka nxjerrë nga binarët këtë rrugëtim. Kjo situatë e rrezikshme gjeopolitike për Kosovën mund të riparohet vetëm përmes zgjedhjeve të reja. LDK-ja nuk do të ndalet në këtë përpjekje për të bindur të gjitha forcat politike për projektin “Së pari zgjedhje, pastaj dialog”, ka shkruar Hoti në Facebook. /Lajmi.net/