Së paku 2600 vende të reja pune në vit nga grantet e Ministrisë së Bujqësisë

Së paku 2600 vende të reja të punës do të hapen këtë vit në sektorin e bujqësisë vetëm nga grantet që do të ndajë Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhje Zhvillimit Rural.

Lajme

31/03/2015 13:38

Këtë e ka thënë ministri Memli Krasniqi në një intervistë për emisionin ‘Ekonomia me Erezen”. Sipas tij, prej tyre janë 1100 vende pune direkte nga grantet e MBPZHR-së, ndërkaq rreth 1500 indirekte që do të hapen si shkas i zhvillimit të fermave dhe zgjerimit të prodhimit e tregut.

Ministri Krasniqi tha se kjo përllogaritje është bërë bazuar edhe në llogaritjet e Bankës Botërore, që përafërsisht me 10 mijë deri në 12 mijë euro hapet një vend i ri pune.

“Nga buxheti 20 milionë euro, sa e kemi ndarë për këtë vit vetëm për grante zhvillimore, nga zhvillimi i këtyre granteve ne mendojmë që me këtë program do të gjenerojmë se paku 1100 vende të reja të punës direkte dhe se paku 1500 vende të tjera në mënyrë indirekte. Krejt këto besojmë të arrijmë brenda këtij viti” tha Krasniqi.

Bujqësia llogaritet si një nga sektorët kyç për zhvillimin e vendit dhe në rritjen e punësimit. Kryesisht numri më i madh i të punësuarve dhe të vet punësuarve është në bujqësi. MBPZHR-ja sivjet ka një fond prej 43 milionësh për fermerët. 20 milionë do të ndahen si grante për prodhim, përpunim dhe diversifikim, dhe 23 milionë tjera për subvencionim për kultura të ndryshme bujqësore.

Me investimet e shtetit, llogaritet se në dy vitet e fundit është rritur deri në masën 26 % prodhimi vendor.  MBPZHR-Ja sivjet ka rritur në çdo sektor buxhetin, e që ka ndikuar në rritjen e granteve dhe subvencioneve në masë të madhe.