S’e ftoi Hitzfeld, Kasami i mërzitur

Pajtim Kasami është i mërzitur që nuk e ftoi selektori Ottmar Hitzfeld në Përfaqësuesen e Zvicrës për Botërorin e Brazilit. Mesfushori shqiptar thotë se problemet në Fulham i kushtuan me mbetje në shtëpi.

Sport

14/05/2014 01:33

Pajtim Kasami nuk e ka pritur aspak mirë lajmin se nuk është përfshirë në listën e selektorit të Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, për Botërorin ‘Brazil 2014’.

Mesfushori shqiptar është në listën e pritjes, por nuk beson se do ta shijojë evenimentin më të rëndësishëm të futbollit.

“Jam i zhgënjyer sigurisht, pas gjithë asaj që ka ndodhur. Nuk është vetëm rënia nga liga e Fulhamit, por aty u ndërruan tre trajnerë dhe erdhi presidenti i ri. Kjo e bëri vitin edhe më të vështirë. Kjo rezulton që në fund unë nuk jam pjesë e Botërorit”, deklaroi 21 vjeçari për magazinën zvicerane “Blick”.

Ai tregon se Hitzfeld e ka këshilluar të luajë më shumë në ekipin U-21, për të qëndruar në formë.

Sa i përket së ardhmes, futbollisti shqiptar nga Maqedonia tregon se nuk ka vendosur ende, edhe pse e ka prioritet Premierligën angleze.