S’e donte Realin për kundërshtar

Real Madridi nuk ishte preferenca e Javi Martinez për gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Mesfushori i Bayern Munichut e konsideron si përballje mjaft të vështirë atë ndaj ‘Los Blancos’.

Sport

22/04/2014 11:39

Mesfushori i Bayern Munichut, Javi Martinez e ka pranuar se ai nuk do të donte të përballet me Real Madridin, në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Fituesi i fundit i këtij kompeticioni do të udhëtojë drejt Spanjës, ku do të përballet në Santiago Bernabeu, me synim që ta përsërisë gjysmëfinalen e vitit 2012, kur ia doli ta eliminonte ekipin madrilen pas penalltive.

Martine beson se ‘Los Blancos’ janë ekipi më i fortë me të cilin ka mundur të përballet gjiganti bavarez në gjysmëfinale.

“Ata po bëhen më të mirë, janë më kompakt dhe më të fuqishëm. Nuk e doja Realin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Ata janë më të fortit që kemi mundur t’i kishim për kundërshtarë”, deklaroi Martinez për të përditshmen spanjolle, El Mundo.

“Ata janë mjaft të rrezikshëm përpara. Di Maria, Bale, i cili shënoi në finale të Copa del Rey, apo Ronaldo, i cili mund të na shkaktojë shumë probleme nëse luan”, vazhdoi ai.

Sipas Martinezit, Bayerni fokusohet më shumë në mbajtjen nën presion të kundërshtarit, por që e ka mbajtur stilin e lojës që ishte shfaqur nën drejtimin e Jupp Heynckes sezonin e kaluar.