“Së bashku me tifozët do të vazhdojmë të ëndërrojmë për Modricin”

Trajneri i Interit, Luciano Spalletti, ka folur për herë të parë për transferimin e mundshëm të Luka Modric në ‘San Siro’.

Sport

04/08/2018 22:36

Zikaltërit kanë befasuar të gjithë e veçanërisht drejtuesit e Real Madridit me afrimin e Luka Modric, i cili po ashtu duket gati për një largim nga ‘Santiago Bernabeu’ drejt futbollit italian, ku u transferua edhe Cristiano Ronaldo.

Spalletti pas fitores 1:0 të Inter në ‘International Champions Cup’, nuk ka hedhur poshtë zërat e ditëve të fundit, por ka thënë se së bashku me tifozët do të vazhdojnë të ëndërrojnë transferimin e reprezentuesit kroat.

“Shoqëria po punon që të vë në praktikë gjithçka që na duket e drejtë. Është e qartë se Modric do të ishte i rëndësishëm për të gjithë, e lë më për ne”, ka nisur përgjigjen Spalletti në pyetjen e gazetarëve për yllin e Real Madridit.

“Vazhdoj të ëndërroj së bashku me tifozët, por jemi të përgatitur edhe të kompensojmë gjithçka që mund të ndodhë”./Lajmi.net/