“S’do të ndalemi së kërkuari drejtësi për Astritin”

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi për aktivistin e saj, Astrit Dehari, që të shtunën e shkuar vdiq në Burgun e Prizrenit.

Lajme

10/11/2016 22:09

Ai ka deklaruar se është i shqetësuar për nivelin e debatit lidhur me këtë cështje, njofton Klan Kosova.

“Kemi kaluar si shoqëri ditët më të vështira prej që jam në Vetëvendosje, prej që jam në politikë, në atë që të paktën është rast tragjik, ndërsa të shumtën vdekje politike”.

“Fatkeqësisht ditëve të fundit debati për vdekjen e Astrit Deharit ka qenë debat forenzik. E para që duhet folur është se jemi duke folur për një djalë të jashtzakonshëm. Ai ka punuar heshtur. E kemi lutur që të bëhet anëtar i kryesisë, nuk ka pranuar. Kur e kupton që një 26 vjecari, pse nuk pajtohet me pushtetin, i vihen prangat dhe mbahet në burg, si pasojë e të cilës vdes, nuk është e lehtë. Shteti e mori në pranga dhe na e ktheu në arkivol. Ndaj unë kam pasur dëshirë që debati të jetë për të, jo të jetë debat forenzik. Nuk ka aktivist që nuk e ka dashur dhe nuk e ka pasur simbol të aktivizmit politik atë djalë. Kam qenë shumë i mllefosur që një gjë e tillë ka mundur të ndodh në Kosovën”.

Ahmeti më tutje ka thënë se është e pabesueshme se si një qytetar i Kosovës mund të arrestohet dhe të mbahet në burg pa kurrfarë aktakuze ndaj tij.

“Në mbledhjen me mjekët dhe prokurorët pas autopsisë, për herë të parë na u tregua se prej cka vdiq Astrit. Na u tha se ai ka vdekur nga zënia e frymës nga një objekt i fortë. Pas deklaratës së një zyrtari policor – Nexhmi Krasniqi – ne kemi mbetur të habitur, ndaj kemi shtruar shumë pyetje. Nuk e kuptojmë se cka ka dashur të arrijë ai me ato deklarata. Mua po më prek shumë niveli politik. Astrit Dehari është arrestuar dhe burgosur për shkak se ka qëndrime të kundërta me pushtetin. Paramendojeni, nëse ke qëndrime të kundërta me pushtetin, mund të arrestohesh dhe të mbahesh në burg pa aktakuzë ndaj teje” tha au në Zona e Debatit.

“Nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për Astritin. Jo vetëm pse vdiq në burg, por edhe pse u mbajt në burg. Dhe kjo nuk është luftë e dy taborreve politike. Është luftë për drejtësi. Për të drejtat tona qytetare”.