Scudetto historike

Antonio Conte e konsideron Scudetto historike, titullin e kampionit të cilin e fitoi Juventusi. Ndërkohë, trajneri italian nuk është i vendosur nëse do të qëndrojë tek Bianconeri ende apo jo.

Sport

06/05/2014 02:08

Nevojitej një fitore për ta festuar në mënyrën më të mirë të mundshme Scudetton e tretë dhe Juventusi ia doli ta bënte këtë, për ta bërë edhe më speciale natën e sontme, duke e mposhtur Atalantan, 1:0, duke iu afruar një arritjeje të jashtëzakonshme siç është 100 pikëshi në kampionat.

“Mendoj se është një Scudetto historike, duke e parë atë që e kanë bërë djelmoshat. Ta ndërtonim një ekip pas dy vjetësh të vështirë, t’i fitojmë tre tituj, Superkupa dhe të bëjmë mirë në Evropë, nuk ishte e lehtë. Në këto vite, më shumë se kaq, nuk mund të bënim”, ka thënë fillimisht trajneri Antonio Conte, i intervistuar nga Sky.

Tifozët Bianconeri kënduan kore në favor të tij, pasi ata preokupohen se Conte mund të largohet gjatë verës.

“Duhet të bëjmë kujdes të shtuar në çdo aspekt, nuk ka ende asgjë të vendosur. Ishin vite të paharrueshme. Duhet t’i falënderoj djelmoshat që kanë dhënë gjithçka. Kënaqësia ime më e madhe është ajo që ia kam arritur t’ua transmetoj atyre një mentalitet fituesi”, vazhdoi ai.

Conte e pranon se do t’i mbetet i vetmi merak, Evropa, pasi Juventusi dështoi në momentet vendimtare, për ta fituar Europa Leaguen këtë sezon, finalja e së cilës do të zhvillohet pikërisht në Juventus Stadium.

Sidoqoftë, ai Juventusin e do më shumë se kushdo tjetër. “Ishin vite të dendur dhe me angazhime dhe familja dhe të dashurit e mi e dinë se sa kam dhënë në këtë periudhë. Juventusi është dhe do të jetë gjithmonë shtëpia ime”.

“Por, duhet të përballemi me këtë situatë në mënyrë të qetë dhe t’i vlerësojmë gjërat, për të mirën e ekipit. Me këtë rast, duhet parë nëse ekziston forca për të vazhduar përpara”, përfundoi Conte.