Scott për taksën: Është shkelje e CEFTA-s, të mos tërhiqet vëmendja nga dialogu

Qeveria e Kosovës më 6 nëntor, ka miratuar propozimin e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, për masën tarifore prej 10 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Lajme

15/11/2018 12:50

Ambasadori i SHBA në Beograd, Kyle Scott, ka folur rreth vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën për 10 për qind në importin e produkteve nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina.

Ai ka thënë se vendosja e taksës është shkelej marrëveshjes së CEFTA-së, derisa shtoi se nuk duhet tërhequr vëmendja nga dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, transmeton lajmi.net.

“Pozicioni i SHBA është i qartë: taksat e importit janë shkelje e marrëveshjes CEFTA dhe rrezikojnë stabilitetin afatgjatë dhe prosperitetin e rajonit. Nuk ka nevojë të tërheq vëmendjen nga dialogu,” shkroi Scott në Twitter.

Reagim mbi këtë çështje ka pasur edhe nga BE-ja. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijancic në një përgjigje për lajmi.net, kishte kërkuar sqarim të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për vendimin e marrur sot në mbledhjen e saj për tarifën e 10 për qindëshit për importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

“Bashkimi Evropian, kërkon sqarim urgjent për vendimin e papritur të Qeverisë së Kosovës për rritje të taksave të importit të produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina”, tha Kocijancic.

Mirëpo Qeveria e Kosovës nuk e mori parasysh kërkesën urgjente të BE-së karshi saj.

Qeveria tha se nuk e ka në plan të tërheq vendimin e marrë për masën tarifore prej 10 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. /Lajmi.net/