Scolari llogariste në Diego Costan për Botëror

Selektori i Brazilit, Luiz Felipe Scolari ka zbuluar se llogariste në Diego Costan për Botëror. Gjithashtu, trajneri brazilian ka folur edhe për mungesën e ftesës së Kaka dhe Robinho dhe për objektivat në Botëror.

Sport

27/05/2014 01:39

Përzgjedhësi i Brazilit, Luiz Felipe Scolari e pranon se do të donte që ta kishte në dispozicion për Botëror sulmuesin e Atletico Madridit, Diego Costa, i cili muaj më parë e zgjodhi Spanjën para Seleçaos.

Megjithatë, prezenca e tij në Botëror është vënë në pikëpyetje, pas lëndimit të fundit që e pësoi në finale të Ligës së Kampionëve ndaj Real Madridit.

“E kisha ndërmend ta ftoja për Botëror. Kam biseduar me të disa herë, por problemi ekziston se ekzistojnë interesa të tjerë. Gjithmonë tërhiqesh nga diçka. Do të ishte me ne, si 7, 9 apo 11-ësh. Është një kafshë e fuqishme si një buall”, deklaroi Scolari për të përditshmen braziliane, \’O Estado\’.

Ai foli edhe për Leite Kaka e Robinho, duke e shpjeguar mos ftesën e tyre në Botëror.

“Nuk kisha dyshime. Dyshimi im i vetëm ishte mbrojtësi i katërt qendror, nuk kisha tjera. Nuk kishte zgjedhje tjera përpos atyre që i kemi bërë. Ky Botëror do të jetë i shpejtësisë, nevojiten shumë vrapime”, shtoi ish trajneri i Chelseat.

Scolari po përgatitet që në të tetën e finales të përballet me Holandën, ndërsa pret që në çerekfinale të luajë me Italinë ose Uruguain, të cilat skuadra thotë se duhet t’i mposht ekipi i tij.

“Mendoj se në çerekfinale luajmë me Italinë. Më pas përballemi me Gjermaninë në gjysmëfinale dhe e mposhtim Argjentinën në finale, për ta ngritur lartë kupën. Për ta fituar atë, duhet t’i mposhtim tri Kombëtare kampione bote”, përfundoi Scolari.