SBAShK-u paralajmëron grevë në arsim

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK), ka paralajmëruar se mund të ketë grevë në muajin prill. Kjo, sipas udhëheqësve të SBASHK-ut, varet nga realizimi i kërkesës së tyre nga Qeveria e Kosovës, në të kundërtën, ata thoin se do të ketë grevë në muajin prill.

Lajme

19/03/2015 14:45

Përmes një komunikate për media, kryesia e SBASHK-ut, kanë bërë të ditur se janë të gatshëm për dialog me qeveritarët, por deri më tani, sipas tyre, nuk janë treguar rezultate në këtë aspekt.

“SBAShK-u ka përsëritur se Qeveria duhet të implementojë 0.5 % për çdo vit shërbimi në listat e pagave të muajit mars se në të kundërtën Kryetari , kryesia dhe Këshilli Drejtues i SBAShK-ut do të jenë të obliguar të veprojnë sipas kërkesës të mësimdhënësve të Kosovës e ajo kërkesë është e qartë dhe nëse Qeveria nuk fillon me implementimin me pagën e muajit mars edhe të 0.5 % për vitet e shërbimit, atëherë do të shkohet në grevë të përgjithshme, e cila do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu në komunikatë thuhet se SBAShK-u ka dërguar kërkesë edhe ministrit Arban Abrashi, për t’i dhënë hapësirë dialogut por nuk është përgjigjur. “Ministri Abrashi nuk i është përgjigjur kërkesës së SBAShK-ut për takim e dialog”, thuhet më tutje.